Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Fermerët prodhues të qumështit bllokojnë rrugën kryesore në Serbi për shkak të...

Fermerët prodhues të qumështit bllokojnë rrugën kryesore në Serbi për shkak të çmimit të ulët të grumbullimit

Fermerët prodhues të qumështit në Mrçajevac të Serbisë dhe zonat përreth në Serbinë qendrore kanë radikalizuar protestat duke bllokuar për 24 orë rrugën magjistrale Çaçak–Kraljevë, në shenjë pakënaqësie për çmimin e ulët të grumbullimit të qumështit dhe politikat shtetërore, raporton Anadolu.

Protestuesit gjenden në rrugë prej tetë ditësh dhe thonë se po punojnë me humbje. Sipas tyre, çmimi i qumështit ka rënë nga 60 në 50 dinarë për litër, ndërsa në disa zona është edhe më i ulët, duke e bërë prodhimin të paqëndrueshëm për fermerët.

Fermerët shpresojnë që bllokadat do ta detyrojnë Qeverinë e Serbisë të ulet në negociata dhe të arrihet një marrëveshje. Sipas tyre, pakënaqësia është e përhapur në mbarë vendin.

Ata ankohen edhe për importin e qumështit dhe produkteve bujqësore, duke thënë se kjo po e ul më tej çmimin në tregun vendor. Protestuesit kërkojnë ndalimin e importeve, vendosjen e kuotave dhe kontrolle më të rrepta në kufi.

Protestat nisën javën e kaluar në Mrçajevci dhe u zgjeruan në disa rajone të Serbisë, me bllokada të paralajmëruara në më shumë lokacione.