Ballina Artikuj Fetarët në epokën e konsumit: nga kërkimi i së vërtetës tek ngecja...

Fetarët në epokën e konsumit: nga kërkimi i së vërtetës tek ngecja e konsumimit…

Hoxhë Vladimir Kera

Në horizontin e kulturës bashkëkohore të konsumit, edhe teologjia rrezikon të humbasë peshën e saj formuese dhe të shndërrohet në një përvojë të lehtë, të menjëhershme, të konsumueshme.
Ajo që dikur ishte rrugë e ngadaltë drejt së vërtetës, përmes mundimit shpirtëror, reflektimit dhe përballjes me jetën, sot shpesh reduktohet në një ndjesi të çastit, një ngushëllim emocional që kërkohet dhe harrohet po aq shpejt.
Në këtë klimë, besimtari nuk paraqitet më si kërkues i thellë i kuptimit, por si konsumator i përjetimeve shpirtërore. Predikimi, lutjet, madje edhe teksti i shenjtë, rrezikojnë të trajtohen si produkte që duhet të “ndihen mirë”, të japin paqe të menjëhershme, të shmangin tensionin dhe sfidën. Por teologjia autentike nuk ka qenë kurrë rehati e lehtë; ajo ka qenë gjithmonë një thirrje drejt transformimit, shpesh e shoqëruar me përpjekje, durim dhe pritje.
Në një ton melankolik, mund të thuhet se kemi humbur durimin për të qëndruar në errësirën pjellore të kërkimit shpirtëror. Në vend të kësaj, kërkojmë dritë të menjëhershme, përgjigje të shpejta, emocione që na mbushin përkohësisht boshllëkun. Por ky mbushje nuk formon ajo vetëm qetëson për një çast dhe më pas lë një zbrazëti më të thellë.
Kjo gjendje sjell një besim i reduktuar në ndjesi, pa kaluar përmes “përpjekjes” dhe vendimit personal. Sepse pa këtë përballje, feja nuk bëhet kurrë e brendshme; ajo mbetet në sipërfaqe, si një emocion që kalon.
Në fund, kjo formë e “teologjisë së konsumuar” nuk e çliron njeriun, por e lë atë të uritur për kuptim. Sepse shpirti nuk ushqehet me fragmente emocionesh, por me të vërtetën që kërkon kohë, durim dhe një gatishmëri për t’u përballur me vetveten dhe me Hyjnoren.

Hoxhë Vladimir Kera