Figo: Ja pse ika nga Barça, te Reali diferencën e bënte…

Portugezi Luis Figo bisedoi me Instagram me italianin Fabio Cannavaro, me të cilin ndau kujtimet kur të dy ishin pjesë e Real Madridit. Ai gjithashtu shpjegoi arsyen pse u largua nga Barcelona për t’iu bashkuar “Los Blancos”, rivalëve të përjetshëm të “blaugranave”, një lëvizje që nuk ndodh shpesh mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, shkruan supersport.

“Ishte një vendim i rëndësishëm dhe i vështirë, sepse u largova nga një qytet që më dha shumë e ku ndihesha mirë. Por kur nuk ndien mirënjohjen për atë që keni dhënë, nëse të vjen një propozim nga një klub tjetër, sigurisht që e merr në konsideratë.”

Historia dihet, Figo shkoi te Reali dhe u shndërrua një nga futbollistët më të urryer në “Camp Nou.” Pikërisht te “Los Blacos” u bë pjesë e një plejade që u etiketuan “galacticos”…

“Në karrierën time kam luajtur me futbollistë të shkëlqyeshëm. Ronaldo, Zidane, Rivaldo, Stoichkov, Guardiola, Hierro, Verón… dhe me atë, i cili ishte gjithmonë i përgatitur për të shënuar, Raúl. Nëse flisni për Ronaldon, të vijnë në mendje karakteristikat e tij, shpejtësia dhe fuqia, por për Raúl është e vështirë të zgjedhësh një karakteristikë, ai kishte pak nga të gjitha. Shënonte gjithmonë dhe bënte diferencën.”

Cannavaro e sheh Figon si presidentin e ardhshëm të UEFA-s. Portugezi, megjithëse nuk e përjashtoi si mundësi, siguroi se është i lumtur me punën e tij të tanishme si ambasador i “Euro 2020”.