Përbërësit për 4 persona:
- 4 gjokse pule
- 3 lugë vaj ulliri ose gjalpë
- 1 qepë e vogël, e grirë imët
- kripë e piper
- 250 ml lëng pule i valuar
- 3-4 lugë lëng limoni i saposhtrydhur
- 4 thelpinj hudhër
- 1 lugë e vogël spec i kuq pluhur
- 150 g pana për kuzhinë, mundësisht me yndyrë
- 2 lugë majdanoz i grirë
- 1-2 lugë të vogla niseshte misri, për të trashur salcën
- ½ limon i prerë në feta të holla
Përgatitja: Në një tigan hedhim vajin dhe skuqim gjokset e pulës nga të dyja anët, me zjarr të fortë. I heqim nga zjarri dhe i vendosim mënjanë në një pjatë. Skuqim qepën në tigan derisa të bëhet si transparente, shtojmë hudhrën dhe specin pluhur.
I përziejmë me lugë druri me shpejtësi, i rregullojmë për kripë e piper. Vendosim mishin përsëri në tigan bashkë me lëngun e limonit dhe lëngun e pulës. I lëmë në zjarr për 10 minuta me kapak gjysmë të mbyllur dhe më pas e heqim, që salca e krijuar të trashet pak. Shtojmë panën, majdanozin dhe vendosim nga një fetë limoni mbi secilin gjoks të pulës.
E lëmë tiganin për 5 minuta në zjarr të avashtë. Nëse dëshironi një salcë të trashë, tretni niseshte me pak ujë të ftohtë, shtojeni në tigan dhe pas 2 minutash hiqeni nga zjarri.








