Fillojnë zgjedhjet presidenciale në Slloveni

Sot në Slloveni mbahen zgjedhjet presidenciale, ku garojnë 9 kandidatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të drejtë vote kanë 1 milion e 716 mijë e 39 qytetarë. Ata mund të votojnë në qendrat e votimit në vend dhe jashtë vendit për 9 kandidatë, nga të cilët 5 janë femra.

Në zgjedhjet ku votimi do të vazhdojë deri në ora 19.00, pritet që rezultatet e para jozyrtare të shpallen para mesnatës.

Në raundin e parë të zgjedhjeve në Slloveni, vend i cili shpalli pavarësinë në vititn 1991, përveç presidentit aktual Borut Pahor garojnë edhe Ljudmila Novak, Maja Makoveç Brenciç, Marjan Sareç, Angelca Likoviç, Boris Popoviç, Romana Tomc, Suzana Lara Krause dhe Andrej Sisko.

Nëse në raundin e parë asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50 për qind të votave, dy kandidatët më të votuar do të garojnë në raundin e dytë më 12 nëntor.

Në Slloveni zgjedhjet presidenciale mbahen çdo 5 vite./Mesazhi/