Alija Izetbegoviq ishte një mendimtar i veçantë ballkanik: i burgosur politikisht, por i butë në shkrim; i përfshirë në luftë, por i përkushtuar ndaj paqes; i gatshëm për sakrificë, por gjithmonë i udhëhequr nga racionaliteti. Ai kombinonte përvojën personale, etikën dhe mendimin filozofik, duke e vendosur moralin në qendër të veprës dhe udhëheqjes së tij.
Bejtulla DEMIRI, Gostivar
Nëse e analizojmë historinë e popujve të Ballkanit me syrin e një vëzhguesi të kujdesshëm, del një e vërtetë shpesh e injoruar: idetë, librat dhe mendimet kanë po aq ndikim sa armët dhe ushtritë. Shpeshherë, janë pikërisht këto që nxisin një popull drejt rezistencës, vetëdijes kombëtare dhe procesit të shtetndërtimit. Në këtë kontekst, figura e Alija Izetbegoviqit merr një rëndësi të veçantë për Bosnjën dhe Hercegovinën, si udhëheqës dhe mendimtar, i cili përmes filozofisë së tij politike dhe vizionit etik ndikoi thellësisht në formësimin e saj si një shtet i pavarur dhe në ruajtjen e identitetit të saj multietnik. Ai demonstroi se udhëheqja e bazuar në parime morale dhe humanizëm mund të jetë po aq efektive sa strategjitë ushtarake, duke e vendosur dijen dhe etikën në qendër të shtetndërtimit të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ashtu siç qiriu i Naim Frashërit që digjej “për të bërë pakëz dritë” në errësirat e shekullit të tij, edhe filozofia politike e Alija Izetbegoviqit, e lindur në një mjedis të shtypur ideologjikisht dhe të rrezikuar etnikisht, u bë flakë që nuk dogji, por ndriçoi një popull të tërë drejt vetëkuptimit dhe shtetësisë.
Ky tekst synon ta shqyrtojë rolin e Islamit në shtetndërtimin e Bosnjës dhe Hercegovinës jo vetëm si një komponent fetar, por si një forcë morale, filozofike dhe identitare, e cila e ndihmoi popullin boshnjak në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe mbijetesës kulturore. Ai e analizon ndikimin e ideve dhe vlerave islame si një energji që ia dha popullit boshnjak fuqinë për rezistencë dhe afirmim të pavarësisë, duke zbërthyer realitetin dhe duke shpëtuar nga censura dhe sfidat e kohës. Sepse asnjë ide nuk lind në boshllëk dhe asnjë lider nuk e krijon filozofinë e tij në vakum. Edhe Alija Izetbegoviqi – një njeri i librave, burgut, refleksionit dhe betejës – ishte produkt i kohës së një Bosnjë dhe Hercegovinë të ndarë ndërmjet tre ndikimeve të mëdha: traditës osmane, modernitetit jugosllav dhe universalizmit islam.
Islami si dritë orientuese në identitetin boshnjak
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Islami ka funksionuar jo thjesht si një praktikë fetare, por si një dritë orientuese në formësimin e identitetit boshnjak, duke u integruar thellësisht në kulturë, moral dhe në vetëdijen kolektive të popullit boshnjak. Siç ndodh me çdo komunitet të vogël të kërcënuar nga asimilimi, feja shpesh shërben si busulla morale dhe kulturore, duke ofruar udhërrëfyes në kohë të trazirave. Në kontekstin e Jugosllavisë socialiste, e cila e margjinalizonte fenë, Islami mbeti strehë e fundit e vetëdijes kombëtare dhe simbol i rezistencës ndaj homogenizimit kulturor. Këtu lind edhe interpretimi i gabuar i rolit të Islamit në Bosnjë dhe Hercegovinë: jo si kërcënim, por si keqkuptim. Filozofia politike e Alija Izetbegoviqit, veçanërisht e shprehur në “Deklaratën Islame”, u lexua shpesh në mënyrë të shtrembëruar, duke u perceptuar si projekt teokratik. Në realitet, Izetbegoviqi kundërshtonte çdo formë diktature në emër të fesë, duke promovuar moralin publik dhe respektin për lirinë individuale, duke e pozicionuar Islamin si një energji etike dhe kulturore që udhëheq dhe mbron identitetin boshnjak.
Alija Izetbegoviq – nga inspirimi fetar te mendimi filozofik
Alija Izetbegoviq ishte një mendimtar i veçantë ballkanik: i burgosur politikisht, por i butë në shkrim; i përfshirë në luftë, por i përkushtuar ndaj paqes; i gatshëm për sakrificë, por gjithmonë i udhëhequr nga racionaliteti. Ai e kombinonte përvojën personale, etikën dhe mendimin filozofik, duke e vendosur moralin në qendër të veprës dhe udhëheqjes së tij.
Në shkrimet e tij, Islami nuk konceptohet si një sistem shtetëror i imponuar, por si një moral i brendshëm që e ruan njeriun nga barbaria – njësoj si qiriu që digjet për të mos lënë shoqërinë në terr.
Në mendimin e tij, Alija Izetbegoviq shihte historinë njerëzore të strukturuar mbi katër shtylla kryesore: nga Musa trashëgonte ndjenjën e ligjit dhe drejtësisë, bindjen se pa norma të larta shoqëria bie në kaos; nga Isa merrte dashurinë dhe sakrificën, duke e parë njeriun si një gjeni të shenjtë që duhet mbrojtur me mëshirë; nga Sokrati huazonte pyetjen e përhershme dhe mendimin kritik, duke mbrojtur fenë dhe politikën nga fanatizmi; dhe nga Muhamedi nxirrte energjinë çliruese të besimit dhe idenë e një bashkësie të drejtë, ku morali dhe praktika shkojnë dorë për dorë. Kështu, filozofia e tij politike ndërthurte dimensionet morale, intelektuale dhe shpirtërore, duke ofruar një vizion të harmonizuar të individit dhe shoqërisë. Ashtu si Naimi që shekullin e tij e lexonte përmes trupit të qiririt, edhe Alija Izetbegoviqi shekullin XX e lexonte përmes dilemës njeri–sistem, moral–politikë, fe–shtet. Por, në këtë lexim, ai nuk ishte vetëm: në penën e tij shfaqej ligji i Musës, dashuria e Krishtit, arsyeja e Sokratit dhe mëshira e Muhamedit. Ky kombinim e bënte Alija Izetbegoviqin një figurë të pazakontë: një mendimtar që e shihte njeriun si qendër të ligjit, dashurisë, arsyes dhe besimit.
Idetë e tij, edhe pse gjithmonë të moderuara, për shumëkënd dukeshin të rrezikshme, sepse në një Europë të lodhur nga nacionalizmat dhe konfliktet fetare, çdo vizion që promovonte tolerancë, bashkëjetesë dhe moral publik shpesh shihej me dyshim dhe keqinterpretohej. Të flasësh për Islamin si energji çliruese dhe për moralin si mbrojtje kundër barbarisë ishte e padëgjuar. Në këtë kuptim, Alija Izetbegoviqi nuk ishte vetëm një politikan, por një filozof i historisë, që e lexonte shekullin XX si një betejë mes etikës dhe ideologjisë.
Bosnja dhe Hercegovina e pas-Dayton-it: Një shtet i kapur nga ideologjia
Pas luftës së përgjakshme të viteve 1992–1995, Marrëveshja e Dejtonit u shndërrua në dokumentin themelor që i dha fund konfliktit të armatosur dhe ndaloi gjakderdhjen. Në këtë kuptim, rëndësia e saj historike është e padiskutueshme: ajo ishte garancia e paqes dhe mjeti i ndërprerjes së luftës së tretë ballkanike.
Pa Marrëveshjen e Dejtonit, Bosnja dhe Hercegovina do të rrezikonte shpërbërjen dhe ndarjen mes fqinjëve. Megjithatë, paqja e arritur rezultoi të ishte një paqe e ngrirë. Në vend që të krijonte unitet, marrëveshja e institucionalizoi ndarjen dhe vendosi një model kushtetues që e shndërroi shtetin në një mozaik të ndërlikuar. Dy entitete – Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska – funksionojnë si struktura paralele, të mbërthyera nga mekanizmat e vetos dhe bllokadave politike, duke e kufizuar aftësinë e shtetit për të vepruar në mënyrë të integruar dhe efektive.
Identitetet kombëtare u ngritën mbi institucionet, duke e bërë shtetin funksional vetëm në minimumin e nevojshëm për të mbijetuar. Në këtë realitet të fragmentuar, roli i Islamit dhe i institucioneve islame mbeti i kufizuar, i kontrolluar dhe shpesh i keqkomentuar. Ajo që Alija Izetbegoviqi kishte parë si mundësi për harmoni – takimin ndërmjet identitetit fetar dhe shtetit modern – u shndërrua në një betejë të përhershme kundër stigmatizimit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë për disa, Islami ishte rrezik që duhej neutralizuar; për të tjerët, ishte shpresa e fundit për ruajtjen e boshnjakësisë në një shtet të dyshues dhe të brishtë.
Politika boshnjake pas luftës – ndërmjet idealit dhe realitetit
Partia e tij, SDA, (Partia e Veprimit Demokratik, e themeluar në vitin 1990 nga Alija Izetbegoviqit, lindi si përfaqësuese e boshnjakëve myslimanë në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe u bë forca kryesore politike e tyre gjatë dhe pas luftës së Bosnjës dhe Hercegovinës; ideologjia e saj mbështetet në ruajtjen e identitetit islam dhe boshnjak në një formë të moderuar, duke e parë Islamin jo si projekt teokratik, por si energji morale dhe kulturore për shoqërinë,) u përpoq ta ruante frymën e moderuar islame në politikë. Por, politika, ndryshe nga filozofia, është terren i interesave të menjëhershme, jo i idealeve të përjetshme. Për këtë arsye, shumë nga vizionet e Alija Izetbegoviqit mbetën më tepër në librat e tij sesa në institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës. Megjithatë, pavarësisht fragmentimit kushtetues dhe bllokadave të shumta, procesi i shtetformimit boshnjak pas Dejtonit ka një rëndësi të veçantë. Bosnja dhe Hercegovina arriti të mbijetojë si shtet i pavarur, duke ruajtur subjektivitetin ndërkombëtar dhe duke u njohur si anëtare e organizatave ndërkombëtare. Ky fakt është themelor: edhe pse e ndarë në entitete dhe shpesh e paralizuar nga vetoja etnike, Bosnja dhe Hercegovina nuk u shpërbë, por vazhdoi të ekzistojë si një realitet politik dhe juridik.
Zhvillimi i shtetit boshnjak ka qenë i ngadalshëm dhe i mbushur me tensione, por ka pasur disa hapa të dukshëm: krijimi i institucioneve të përbashkëta, integrimi gradual në strukturat euroatlantike, si dhe ruajtja e një identiteti boshnjak që nuk u shua nën presionin e ndarjeve. Ky proces e bën Bosnjën Hercegovinën një shembull të shtetformimit të kushtëzuar, ku ekzistenca e shtetit është më shumë rezultat i marrëveshjes ndërkombëtare dhe mbështetjes së jashtme sesa i konsensusit të brendshëm.
Institucionet fetare, nga ana tjetër, u përpoqën ta ruanin Islamin si fe të moderuar, pa e shndërruar në instrument politik. Megjithatë, ndërhyrjet e Turqisë, Arabisë Saudite dhe Iranit pas luftës sollën tensione të reja, duke e bërë Bosnjë dhe Hercegovinën fushë të ndikimeve të shumëfishta – shpesh kontradiktore. Kjo e vendosi Islamin boshnjak në një pozitë të brishtë: mes traditës lokale dhe presioneve globale.
Islami si identitet, jo si pushtet
Në Bosnje dhe Hercegovinë, Islami nuk ka funksionuar si ideologji pushteti, por si identitet kulturor. Ai i jep Bosnjë dhe Hercegovinës një origjinalitet që as serbët, as kroatët nuk mund ta mohojnë. Por, pikërisht kjo e ka bërë objekt dyshimi, ashtu siç vepra letrare avangarde shpesh keqkuptohet nga ata që kërkojnë qartësi të thjeshtë në një botë komplekse. Çdo diskutim mbi Islamin politik në Bosnjë dhe Hercegovinë ngjall frikë, sepse ideja e fesë si burim morali bëhet e papranueshme për ata që e shohin fenë vetëm si kërcënim. Në këtë kontekst, Islami ka qenë më shumë një qiri që ndriçon sesa një pishtar që djeg. Në dritën e tij u shkrua identiteti boshnjak, por nuk u dogj askush.
Alija Izetbegoviqi nuk ishte as teokrat, as revolucionar. Ai ishte mendimtar që e kuptonte se shoqëria pa moral – sikurse shoqëria pa letërsi – mbetet në terr. Nëse Bosnja dhe Hercegovina sot ende lufton me veten, kjo ndodh jo për shkak të Islamit, por për shkak të mungesës së një qiriri të ri që do ta ndriçonte rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët. Sepse qiriri është dritë për poetin dhe filozofin, por vetëm flakë për piromanët e politikës. /revistashenja







