FMN: Ekonomia afgane do të tkurret deri 30% këtë vit, ndikim te fqinjët, Turqi e Europë

Problemet ekonomike të Afganistanit mund të nxisin një krizë refugjatësh që do të ndikojë të fqinjët, në Turqi dhe Europë, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ekonomia do të tkurret deri në 30 për qind këtë vit, gjë e cila mund të shtyjë miliona njerëz në varfëri dhe të shkaktojë një krizë humanitare, paralajmëron fondi.

FMN tha se fqinjët e Afganistanit do të goditen më shumë sepse ata mbështeten në të ardhurat nga marrëdhëniet tregtare.

Me pasuritë e huaja të ngrira dhe ndihmat jo-humanitare të ndaluara, hyrjet e parave në Afganistan janë shteruar.

“Një fluks i madh refugjatësh mund të vendosë një barrë mbi burimet publike në vendet pritëse të refugjatëve, të nxisë presionet e tregut të punës dhe të çojë në tensione sociale, duke nënvizuar nevojën për ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha fondi në perspektivën e tij rajonale ekonomike.

Kostoja për fqinjët

Ndërsa është e paqartë se sa refugjatë afganë do të ketë, FMN vlerëson se nëse do të ketë një milion më shumë, pritja e tyre mund ti kushtojë Taxhikistanit 100 milion dollarë, 72 milion dollarë Iranit dhe Pakistanit 500 milion dollarë.

Muajin e kaluar Taxhikistani tha se nuk mund të përballonte të merrte një numër më të madh refugjatësh nëse nuk merrte ndihmë financiare ndërkombëtare, ndërsa vendet e tjera të Azisë Qendrore kanë thënë se nuk kanë plane për të pritur refugjatë.

Afganistani dikur merrte shuma të mëdha nga ndërkombëtarët. Qeveria britanike ka vlerësuar se vendet e OECD-së kanë dhuruar 65 miliardë dollarë Afganistanit nga viti 2001 deri ën vitin 2019.

FMN ka shqetësime se fondet që hyjnë në vend mund të përdoren edhe për financimin e terrorizmit dhe pastrimin e parave.

Javën e kaluar, anëtarët e 20 ekonomive më të mëdha në botë (G20) u zotuan të investojnë miliarda dollarë në ekonominë afgane për të shmangur një katastrofë ekonomike. /monitor