Fondacioni “Eyüp Sultan” nga Stambolli çdo ditë shtron iftar për 5 mijë prishtinas

Fondacioni Eyüp Sultan nga Stambolli edhe këtë vit ka hapur tendën e iftarit në platonë e “Pallatit të Rinisë” në qendër të Prishtinës për nevojtarët nga kryeqyteti i Kosovës që nga dita e parë e Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë tendë që tash e 11 vite është bërë traditë për qytetarët e Prishtinës bëjnë iftar një numër i madh i besimtarëve çdo mbrëmje.

Koordinatori i Fondacionit Eyüp Sultan, İskender Yanova në një prononcim për AA bëri të ditur se ky fondacion shtron iftar për nevojtarët gjatë Ramazanit në tre qytetet e Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë dhe Skenderaj. Yanova tha se çdo ditë e më shumë po mbushen tendat me qytetarë duke shtuar se ka sjellë përshëndetjet më të ngrohta nga Stambolli të personave bamirës të cilët kanë kontribuar në realizimin e organizimit të iftareve në këto tenda.

Sipas tij, çdo mbrëmje bëjnë iftar 2 mijë persona në Mitrovicë dhe Skenderaj ndërsa shtoi se: “Në Kosovë ne shpërndajmë ushqim çdo mbrëmje për 5 mijë persona. Kjo tendë është për 2 mijë persona. Ne e kemi një të veçantë sepse dërgojmë ushqim edhe tek shtëpitë e personave të moshuar dhe atyre me nevoja të veçanta të cilët nuk kanë mundësi të vijnë në tenda. Numri i këtyre ëshë 1 mijë ndërkaq numri i përgjithshëm i atyre në tenda dhe nëpër shtëpi është 5 mijë”, tha Yanova.

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç e cila iu bashkangjit qytetarëve në këtë tendë për iftar theksoi se muaji i Ramazaniit është muaji ku vijnë në shprehje ndjenjat më të mira njerëzore si mirësia, ndihma dhe paqja.

Ajo tha se gjatë muajit të Ramazanit vjen në theks edhe shembulli më i mirë i solidaritetit shoqëror edhe përmes organizatave joqeveritare, fondacioneve dhe komunave të Turqisë.

“Ne këtu bashkarisht po e ndajmë një sofër shumë të bukur të Ramazanit. Këto sofra janë më të bukura në unitet dhe kur mblidhemi të gjithë por përveç kësaj ne po e zgjerojmë edhe miqësinë me vëllezërit dhe miqtë tanë këtu. Në këtë muaj i cili mban në vete karakteristikat më të mira të fesë islame po mundohemi që të pastrojmë jo vetëm trupin por edhe ndërgjegjen dhe zemrat tona”, tha ambasadorja Kılıç.

Ndërsa, Idriz Idrizi një qytetar nga Prishtina duke theksuar se që nga viti i parë kur është hapur tenda bëjnë iftarin këtu tha se: “Është duke na pëlqyer shumë, falënderoj shumë Turqinë që po na respekton”.