Forcat izraelite arrestojnë 7 palestinezë në Bregun Perëndimor

Pas vrasjes së 4 kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar dje, forcat izraelite bastisën vendbanimet palestineze dhe arrestuan 7 palestinezë, raporton Anadolu.

Në një deklaratë nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë thuhet se janë arrestuar 7 palestinezë, përfshirë 6 nga vendbanimi Urif i Nablusit dhe një nga vendbanimi Tamun i qytetit Tubas.

Dëshmitarët okularë për Anadolu thanë se forcat izraelite nisën një operacion ndalimi duke bastisur vendbanimin Urif.

Dëshmitarët theksuan se forcat izraelite bastisën disa shtëpi me arsyetimin se ishin të autorëve të incidentit ku mbetën të vrarë dje 4 kolonë hebrenj dhe bënë matjen e këtyre shtëpive me qëllim për shembje.

Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende asnjë deklaratë për këtë çështje.

Dje në një sulm të armatosur pranë një pike karburanti në Eli, një vendbanim ilegal hebre midis qyteteve të okupuara të Bregut Perëndimor të Ramallah dhe Nablus u vranë 4 kolonë izraelitë dhe 4 të tjerë u plagosën, një në gjendje kritike.

Ushtria izraelite njoftoi se një nga organizatorët e sulmit u qëllua për vdekje në vendngjarje ndërsa i dyshuari i dytë u qëllua për vdekje si rezultat i kërkimeve në shkallë të gjerë që u nisën më vonë. Izraeli nuk informoi nëse ka sulmues të tretë dhe identitetin e atyre që organizuan sulmin.