Forcat izraelite pengojnë funeralin e Shireen Abu Akleh – VIDEO

Forcat izraelite penguan me forcë marshimin në funeralin e Shireen Abu Akleh, gazetarës së Al Jazeera-s, e cila u vra nga forcat izraelite këtë javë ndërsa raportonte në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke sulmuar të pranishmit që mbanin arkivolin e saj jashtë spitalit në qytetin e saj të lindjes në Jerusalem.

Forcat izraelite goditën të pranishmit që mbanin arkivolin me shkopinj, duke shkaktuar pothuajse rënien e arkivolit, përpara se të lejonin përfundimisht që ai të bartej me makinë.

Ngjarjet e së premtes filluan nga Spitali Francez St Louis në lagjen Sheikh Jarrah të Jerusalemit Lindor, ku trupi i Abu Akleh mbeti gjatë natës, deri në Portën Jaffa në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, ku u mbajt shërbimi i funeralit në Katedrale.

Policia izraelite mbylli rrugët që të çojnë në spitalin në Sheikh Jarrah mesditën e së premtes, ndërsa palestinezët filluan të mblidheshin përpara procesionit. Më herët të premten, policia gjithashtu u përpoq të pengonte palestinezët të vendosnin postera të Abu Akleh jashtë kishës.

Policia izraelite bastisi shtëpinë e familjes së Abu Akleh të enjten, duke hequr me forcë flamurin palestinez nga rezidenca.

Anton Abu Akleh, vëllai i Shireen, u thirr gjithashtu nga policia izraelite të enjten në mbrëmje. Sipas raporteve të mediave izraelite, policia e paralajmëroi atë se do të shpërndanin të pranishmit në varrim nëse do të kishte një “përshkallëzim”.