Forcat izraelite plagosin 4 peshkatarë palestinezë në Gaza

Forcat izraelite plagosën 4 peshkatarë palestinezë që po peshkonin në bregdetin e rrethuar të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Kreu i Sindikatës së Peshkatarëve Palestinezë në Gaza, Nizar Ayash në një deklaratë për Anadolu tha se forcat izraelite plagosën me plumba plastikë 4 peshkatarë që peshkonin në bregun verior të Rripit të Gazës.

Ai tha se të plagosurit u dërguan në spital.

– Sulmet izraelite ndaj peshkatarëve palestinezë në Gaza

Izraeli që nga viti 2006 ka bllokuar Rripin e Gazës nga toka, deti dhe ajri. Në Rripin e Gazës jetojnë rreth 2 milionë palestinezë.

Ministria palestineze e Bujqësisë e konsideron peshkimin si një nga mjetet kryesore të jetesës në Gaza, ku ka rreth 4.000 peshkatarë.

Sipas raporteve të të drejtave të njeriut, Izraeli përveç abuzimeve të tjera shpesh ndalon peshkatarët në Gaza dhe konfiskon varkat e tyre. Qeveria e Tel Avivit redukton kohë pas kohe distancën e peshkimit të peshkatarëve në Rripin e Gazës.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të nënshkruar ndërmjet Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit në vitin 1993, palestinezët kanë të drejtë të lëvizin lirshëm deri në 20 milje nga Rripi i Gazës pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje izraelite, po Izraeli i pengon peshkatarët nga kjo e drejtë.