Forcat ruse sulme në Halep, 28 të vdekur

Si pasojë e një sulmi të avionëve rusë në Sukkeri i cili ndodhet në veri të Halepit dhe që kontrollohet nga opozitarët, të paktën 28 persona kanë humbur jetën dhe 57 të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetarin e AA zyrtari i mbrojtjes civile Nexhip Ensari, ka konfirmuar se forcat ajrore ruse kanë organizuar 3 sulme në rajonin Sukkeri.

Duke theksuar se sulmet kanë goditur vendbanimet Ensari u shpreh: ”Avionët rusë dhe ato të regjimit kohët e fundit janë duke goditur vendbanimet dhe nën shenjestër kanë civilët. Në sulmet e sotme të paktën 28 persona humbën jetën dhe 57 të tjerë mbetën të plagosur. Shumica e këtyre civilëve ishin fëmijë dhe gra. Njëkohësisht shumë godina janë shkatërruar.”

Ensari në vazhdim të fjalës së tij ka theksuar se ekipet e shpëtimit janë duke punuar për nxjerrjen e personave që mund të kenë mbetur poshtë gërmadhave të godinave të shembura. Ai ka shtuar se të plagosurit janë dërguar në spitalet e improvizuara më të afërta.

Ditën e djeshme një helikopter i regjimit të Asadit sulmoi me gaz klorik vendbanimin e Sukkerit nga i cili u ndikuan të paktën 100 persona.