Franca do të hapë fabrikën e parë të baterive të makinave elektrike

Zhvillimi i industrisë së baterive është në qendër të planit të “riindustrializimit” të presidentit Emmanuel Macron për Francën, me një grup fabrikash që do të shfaqen në veri të vendit gjatë tre viteve të ardhshme.

Dhe në këtë drejtim është edhe hapja e “gigafabrikës” në Billy-Berclau që është në pronësi të Automotive Cells Company, një partneritet midis gjigantit francez të energjisë TotalEnergies, Mercedes-Benz gjerman dhe prodhuesit amerikano-evropian Stellantis, i cili prodhon një sërë markash duke përfshirë Peugeot, Fiat dhe Chrysler.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ministri francez i ekonomisë Bruno Le Maire dhe ministrat e tranzicionit të energjisë dhe industrisë së vendit do të marrin pjesë në inaugurim, së bashku me zyrtarë gjermanë dhe italianë.

Në atë ngjarje do të jenë edhe krerët e Mercedes, Stellantis dhe TotalEnergies.

Sipas raportimeve, fabrika do të jetë e një madhësie sa gjashtë fusha të futbollit dhe pritet të fillojë këtë verë.

Kështu, zyrtarët e zgjedhur dhe drejtuesit e biznesit shpresojnë ta kthejnë rajonin Hauts-de-France në “Luginën e baterive” – përgjigja e industrisë së makinave elektrike ndaj Silicon Valley.

Ndryshe, Evropa po garon për të rritur prodhimin e baterive dhe automjeteve elektrike, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur një afat kohor deri në 2035 për të hequr gradualisht shitjen e makinave të reja me lëndë djegëse fosile.