Franca “e gatshme të gjejë mënyra” për të luftuar Hamasin – VIDEO

Presidenca e Francës ka deklaruar se vendi është i gatshëm të gjejë mënyra për të luftuar grupin e rezistencës palestineze Hamas, raporton Anadolu.

Presidenca franceze në një deklaratë për Anadolu tha se kjo është një “çështje frymëzimi” nga përvoja e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it dhe për të parë cilat aspekte janë të zbatueshme për Hamasin.

“Franca është e gatshme të konceptoj me partnerët e saj dhe Izraelin, veprimet përkatëse kundër Hamasit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Izraeli dhe partnerët më pas do të duhet të shprehin nevojat e tyre.

Deklarata theksoi se koalicioni nuk ishte i kufizuar në operacionet në terren, por përfshinte gjithashtu trajnimin e forcave, shkëmbimin e informacionit dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron, foli në një konferencë të përbashkët për media në Izrael me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Ai shprehu mbështetjen e Francës për Izraelin dhe sugjeroi formimin e një koalicioni ndërkombëtar dhe rajonal, si ai kundër DEASH-it, për të luftuar grupet e tjera terroriste.