Franca e sheh Sirinë si një rrugë të mundshme alternative për dërgesat e naftës në mes të ndërprerjeve të vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit, tha të enjten ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, transmeton Anadolu.
Në një intervistë me TF1, Barrot tha se tensionet e fundit midis SHBA-së dhe Iranit, së bashku me bllokimin në ngushticën, kanë nënvizuar nevojën për korridore të diversifikuara energjetike për të siguruar furnizime të besueshme në tregjet globale.
“Ndër të gjitha përpjekjet që kemi bërë që nga fillimi i kësaj krize, është ideja e përgatitjes së rrugëve alternative në mënyrë që të mos jemi të varur nga bllokimet këtu apo atje. Siria e cila përmbysi Bashar al-Assad-in një vit e gjysmë më parë, tani po ribashkohet dhe forcohet dhe mund të bëhet një qendër e re rajonale”, tha ai.
Barrot, i cili shoqëroi presidentin Emmanuel Macron në një vizitë në Damask të martën, tha se udhëtimi kishte për qëllim të riafirmonte mbështetjen e fortë të Francës për një Siri të ribashkuar dhe sovrane.
“Ne qëndrojmë me popullin sirian,” tha ai, duke shtuar se ata duan të zgjerojnë bashkëpunimin me Damaskun në të gjitha fushat dhe të forcojnë lidhjet ekonomike dhe tregtare me vendin.


