Franca planifikon masa të reja kundër COVID-19

 /rel

Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se qeveria po planifikon të shmangë kufizime të mëdha në jetën publike, duke preferuar që të forcojnë rregullat për distancim social dhe shpejtim të fushatës për vaksinim me dozën e tretë kundër koronavirusit.

Qeveria, sipas Attal, do të shtrëngojë po ashtu rregullat për pasportë të shëndetit.

Pandemia në këtë vend është paraparë të përkeqësohet në ditët në vazhdim pasi numri i infeksioneve në 100 mijë persona brenda javës, parashihet të arrijë mbi 200 në një apo dy ditët e ardhshme.

“Duhet të mbrojmë francezët duke ndërtuar mbi atë që kemi, për të shpëtuar festimet e fundvitit dhe të kalojmë dimrin sa më mirë që është e mundshme”, tha Attal në një konferencë për media.

Pasaporta e shëndetit në Francë mundëson hyrjen në kafene, restaurant, muze, kinema dhe vende të tjera publike për persona që janë të vaksinuar ose kanë një test negativ për COVID-19.

Sipas Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kjo pasaportë është një nga arsyet kryesore pse Franca gjendet në një pozitë më të mirë sa i përket pandemisë në krahasim me shtetet fqinje.
Attal nuk deshi të komentojë se çfarë masa mund të lajmërohen nga Ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, të enjten.

Por qeveria pritet që të respektojë këshillën e rregullatorit të shëndetësisë që thotë se një dozë e tretë e vaksinës duhet të merret nga të gjithë personat mbi moshën 40 vjeçare.

“Derisa po shohim një rritje të presionit në spitale në javët në vazhdim, ne mendojmë se mund të parandalojmë përmbytjen nëse vazhdojmë të rrisim numrin e vaksinimeve, të mbajmë distancë sociale dhe të përdorim pasaportën e shëndetit”, shtoi Attal.

Deri më tani, doza e tretë e vaksinës është në dispozicion vetëm për personat më të vjetër se 65 vjet si dhe personat në rrezik.

Por, nga 1 dhjetori, doza e tretë do të vihet në dispozicion për moshat nga 50 deri në 64 vjeç.

Personat mbi 65 vjeç do të duhet të paraqesin dëshmi për vaksinim me dozën e tretë në mënyrë që pasaporta e tyre e shëndetit të vazhdojë të jetë e vlefshme. /rel