Të paktën 4.600 hektarë u dogjën në një zjarr në departamentin jugor Pyrenees-Orientales të Francës ndërsa mijëra persona u evakuuan gjatë natës, njoftoi sot transmetuesi BFMTV, transmeton Anadolu.
Autoritetet thanë për BFMTV se zjarri në komunën Trevillach nuk është vënë ende nën kontroll dhe ka djegur më shumë se 4.600 hektarë. Ata thanë se pesë persona u plagosën lehtë ndërsa 10 mijë banorë u desh të evakuoheshin gjatë natës.
Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar edhe në disa bashki përreth, megjithëse teknikët e operatorit të rrjetit Enedis nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të zjarrit të vazhdueshëm.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez tha për “France 2” se do të udhëtojë në Pyrenees-Orientales sot pasdite, ku rreziku i përhapjes së zjarrit mbetet i lartë për shkak të kushteve atmosferike. “Sot beteja rifillon. Sot në mëngjes, kushtet e motit po përkeqësohen përsëri”, tha ai.
Sipas tij, Franca po përballet me një sezon të vështirë zjarresh. Nunez theksoi se mbi 11 mijë hektarë janë djegur tashmë këtë sezon, krahasuar me 5.500 hektarë gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, departamenti Herault regjistroi mbi 30 vatra zjarri të dielën ndërsa disa zjarre thuhet se janë ende në vazhdim. Shtatë departamente franceze janë vendosur në alarm të kuq për një rrezik “shumë të lartë” nga zjarri ndërsa 41 departamente të tjera janë në alarm portokalli për një rrezik të lartë zjarri.





