Një robot i vogël, por jashtëzakonisht i aftë, po konsiderohet si teknologjia që mund të transformojë përgjithmonë mënyrën se si menaxhohen vreshtat.
Quhet Frasky dhe po testohet aktualisht në zonën e Bergamos, në Itali.
I zhvilluar nga shkencëtarët e Institutit Italian të Teknologjisë, ky robot përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt bujqësisë efikase, të bazuar në automatizim dhe inteligjencë artificiale.
Eksperti i IT, Manuel Catalano, thotë se Frasky është konceptuar për t’u bërë pjesë e punëve të përditshme, punë të cilat deri më sot kërkonin një forcë të madhe punëtore dhe ekspertizë të specializuar.
“Frasky është një robot që ne e kemi menduar të punojë në vreshta për aktivitete bujqësore. Ideja bazë është që të digjitalizojmë vreshtat tona dhe të kemi informacionin dhe vendndodhjen e çdo rrushi që ndodhet në vresht.”
Në pamjet, Frasky shihet teksa lëviz mes rreshtave të vreshtit, i pajisur me kamera dhe sensorë që i mundësojnë vizualizimin e mjedisit përreth dhe shmangien e pengesave.
Për vreshtarët që menaxhojnë sipërfaqe të mëdha, të cilët po përballen gjithnjë e më shumë me mungesën e fuqisë punëtore dhe koston në rritje të specialistëve bujqësorë, një robot i tillë mund të jetë zgjidhja e së ardhmes.
“Në vreshta, problemi nuk është vetëm vjelja e rrushit, por edhe punët e vazhdueshme të mirëmbajtjes gjatë vitit. Këto kërkojnë njerëz të përkushtuar. Me këtë lloj zgjidhjeje, ne u japim punëtorëve një mjet që mund t’i shoqërojë në çdo aktivitet të vreshtit, duke bërë disa veprime në të njëjtën kohë.”
Krahas robotit Frasky, pamjet tregojnë makineritë tradicionale si traktorët spërkatës, të cilët shpërndajnë pesticide në të gjithë vreshtin. Por Frasky e ndryshon këtë logjikë, ai spërkat vetëm aty ku është vërtet e nevojshme, duke reduktuar ndotjen dhe duke kursyer materiale.
Ky robot është i pajisur me një sërë teknologjish inteligjente që e bëjnë atë të besueshëm për vreshtarët.
“Frasky është një robot i vogël. Në pjesën e sipërme ka sistemin e manipulimit, një krah i pajisur me duar që mund të prekin rrushin, por edhe me mjete të ndryshme për veprime selektive. Ai ka kamera, sensorë dhe GPS për të lëvizur në vresht.”
Për ekspertët e bujqësisë, ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të prodhimit të verës, sidomos në rajonin e Bergamos që njihet për bashkëpunimet inovative midis fermerëve dhe universiteteve shkencore.
Frasky synon të jetë mjeti që ndihmon fermerët të rrisin prodhimin, të minimizojnë kostot dhe të ulin përdorimin e pesticideve, duke ruajtur cilësinë e rrushit.
Ndërsa testimet vazhdojnë, Frasky pritet të zgjerojë aftësitë e tij dhe të jetë pjesë e pandashme e bujqësisë moderne evropiane. Dhe me rritjen e kërkesës, robotë si ky mund të bëhen shpejt standard i industrisë së vreshtarisë.








