Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar unanimisht vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza, si pjesë e forcave paqeruajtëse.
Ky vendim u vlerësua nga deputetët e pozitës dhe opozitës si një hap i rëndësishëm historik për FSK-në dhe për shtetin e Kosovës, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve dhe besueshmërisë ndërkombëtare të saj.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, tha se ky vendim dëshmon pjekurinë institucionale të Kosovës dhe profesionalizmin e FSK-së, e cila sipas saj është e gatshme të marrë përgjegjësi edhe përtej kufijve të vendit. Ajo theksoi se mbështetja për këtë mision duhet të jetë e plotë dhe pa dilema, raporton lajmi.net.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, për ushtarin e Kosovës, është një strukturë serioze, profesionale dhe gjithmonë më e gatshme që të marrë përgjegjësi përtej kufijve të vendit. Kërkesa e FSK-së për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit, e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është në proces shqyrtimi në Kuvend; është një hap i rëndësishëm që tregon pjekurinë e shtetit tonë dhe besimin që kemi ndërtuar në kapacitetet tona mbrojtëse…”, ka deklaruar mes tjerash Musliu.
Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, vlerësoi se FSK-ja tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve ndërkombëtarë në misione paqeruajtëse, duke theksuar rëndësinë e garantimit të kushteve, ligjeve dhe pajisjeve adekuate për pjesëtarët e saj.
“Forcës së Sigurisë së Kosovës që tashmë është e gatshme të jetë partnere dinjitoze krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj në një mision paqeje në Gaza, por jo vetëm atje, por është e gatshme që të jetë kontribuese në të gjithë botën kudo që është e nevojshme. Ne si shtet, si kuvend, jemi të detyruar që t’i sigurojmë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare të cilat i mbrojnë ata, nuk e cenojnë integritetin e tyre. Jemi përgjegjës që tashmë edhe e kemi bërë si kuvend dhe si qeveri që të mbështeten financiarisht me mjete, të kenë trajnime dinjitoze. Këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë në vazhdimësi. Dhe edhe njëherë i mbështesim të gjithë ata ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të jenë në një mision paqeje”, deklaroi Selimi.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, e cilësoi këtë zhvillim si lajm pozitiv për vendin, duke theksuar se pjesëmarrja në misione të tilla ndërkombëtare është dëshmi e rritjes profesionale të FSK-së dhe kërkoi mbështetje të plotë logjistike dhe institucionale për ushtarët që do të angazhohen.
Ky vendim konsiderohet si një nga hapat më të rëndësishëm të Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të sigurisë dhe paqes.







