Fungo: NATO mbështet FSK-në në mandatin aktual

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Giovanni Fungo, ka deklaruar se NATO mbështet zhvillimin e FSK-së në pajtim më mandatin e tyre aktual, ndërsa ka tërhequr vërejtjen se nëse mandati i FSK-së evaluon, atëherë Aleanca Veri-Atlantike do të shqyrtojë nivelin e përkushtimit ndaj kësaj force në ndërtimin e kapaciteteve.

Ai në një intervistë për European Western Balkans tha se KFOR-i do të vazhdojë të ndihmojë FSK-në si forcë multietnike dhe profesionale në pajtim me mandatin e tyre aktual, por nëse ndryshon mandati i FSK-së për shndërrim në ushtri atëherë edhe NATO do të shqyrtojë përkushtimin e saj ndaj kësaj force.

Gjeneral-lejtënant Fungo ka vlerësuar situatën e sigurisë në vendin tonë si stabile pavarësisht disa tensioneve të mëhershme, duke përkujtuar se me përjashtim të Manastirit të Deçanit, të gjitha objektet tjera fetare serbe në Kosovë janë nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.

“KFOR-i bashkëpunon me institucionet e sigurisë në Kosovë dhe bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar se Kosova disponon me mjete të duhura për t’u përballur ndaj çdo sfide të sigurisë”, tha kreu i misionit të KFOR-it.

Numri një i KFOR-it theksoi se NATO mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe në këtë kuadër KFOR-i luan rolin e tij në terren në pajtim me mandatin për të siguruar stabilitet dhe siguri.

“KFOR-i kryen aktivitetin e tij në bashkëpunim të ngushtë me Kombet e Bashkuara, BE-në dhe akterët tjerë ndërkombëtarë, për të ruajtur zhvillimin demokratik, multietnik dhe paqësor të Kosovës”, tha Fungo.

Ai ka folur edhe rreth bashkëpunimit të KFOR-it me Ushtrinë e Serbisë, duke thënë se këto marrëdhënie mund të vlerësohen si profesionale dhe konstruktive për të dyja palët.

Ndryshe, komandanti italian ka theksuar se misioni që ai drejton është i përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, dhe se janë të gatshëm të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi të sigurisë.