Galatasaray zyrtarizon kampin në Kosovë

Skuadra e madhe nga Turqia, Galatasaray ka konfirmuar ardhjen në Kosovë për mbajtjen e kampit të futbollit për talentet e rinj në fillim të muajit të ardhshëm.

Në faqen zyrtare, Galatasaray ka publikuar Programet e Kampeve të Shkollave të Futbollit, që do ti mbajë në disa vende të Evropës, përfshirë edhe Kosovën.

Galatasaray do ta mbajë kampin në Kosovë, në bashkëpunimin me Shkollën e Futbollit “Besëlidhja” nga Prishtina.

Prej datës 1 deri më 5 korrik në Kampin Nacional të FFK-së, në Hajvali do të mbahet kampi i Galatasarayt, i cili do të monitorohet nga stafi i tij, në bashkëpunim me trajnerë vendor të angazhuar nga SHF “Besëlidhja”.

“Programet tona të kampit janë planifikuar posaçërisht për talentet e rinj që e duan futbollin, midis moshës 6 dhe 15 vjeç, dhe janë të hapura për pjesëmarrjen e yjeve të ardhshëm të futbollit të të gjitha niveleve, nga fillestarët deri tek ata të avancuar”, ka shkruar Galatasaray ndër të tjera në njoftim.

Kjo është hera e parë, që gjiganti turk, Galasaray mbanë kamp në Kosovë në kërkim të talenteve të futbollit.

Gjatë kësaj vere, Galatasaray ka konfirmuar mbajën e shtatë kampeve, ku krahas Kosovës, do të jetë i pranim edhe në Amsterdam, Utrecht, Rotterdam të Holandës, si dhe Berlin të Gjermanisë.