Galaxy S23 dhe Xiaomi 13 Pro ekspozohen në një konkurs hakimi të profilit të lartë, shpëtojnë iPhone 14 dhe Pixel 7

Hulumtuesit zbuluan dy probleme sigurie përmes të cilave mund të kompromentonin pajisjet e Samsung duke ekzekutuar kod apo kontrolluar resurset harduerike.

Samsung Galaxy S23 pati një ditë të vështirë në konkursin e hakimit Pwn2Own mbajtur ditën e Marte. Hulumtuesit e sigurisë që morën pjesë në këtë konkurs, arritën të hakonin flagshipin e Samsung dy herë.

Hulumtuesit zbuluan dy probleme sigurie përmes të cilave mund të kompromentonin pajisjet e Samsung duke ekzekutuar kod apo kontrolluar resurset harduerike.

Sipas rregullave të konkursit, pjesëmarrësit duhet të kompromentojnë pajisjen duke shfletuar në ueb ose duke komunikuar me NFC, Wi-Fi apo Bluetooth. Pajisjet duhet të kenë versionet më të fundit të softuerëve.

Edhe pse lajme duken alarmuese për përdoruesit e Galaxy S23, konkursi ka për qëllim identifikimin e problemeve kundrejt një shpërblimi me qëllim që të përmirësohet siguria e disa prej smartfonëve apo produkteve më të mira në treg.

 

Galaxy S23 ishte një prej katër telefonëve të disponueshëm për tu testuar krahas Google Pixel 7, iPhone 14 dhe Xiaomi 13 Pro. Edhe pse flagshipët e Google dhe Apple shpëtuan në ditën e parë të konkursit, Xiaomi 13 Pro u ekspozua.

Një llojshmëri pajisjesh të tjera si elektroshtëpiake inteligjente, pajisje rrjeti dhe printera u hakuan në ditën e parë të konkursit vjetor të sigurisë. Galaxy S22 me Android 13 u hakua në vetëm 55 sekonda në edicionin e vitit të kaluar.