Gambia nis hetimin e skandalit të “shurupit të vdekjes”

Në shtetin afrikan të Gambisë kanë vdekur 66 fëmijë si pasojë e katër shurupeve të kollit që ua kanë dëmtuar veshkat. Shteti është tmerruar nga rastet e vdekjes, teksa OBSH-ja dyshon se shurupi është shpërndarë në shtetet e tjera.

Gambia ka nisur fushatën derë më derë për të larguar nga përdorimi shurupin e kollit që la të vdekur 66 fëmijë shkaku i lëndimeve në veshka.

Drejtori i Shëndetësisë në shtetin afrikan, Mustapha Bittaye, ka konfirmuar vdekjet e fëmijëve nga lëndimet që kanë pësuar veshkat e tyre shkaku i përdorimit të shurupit.

Deklarata e tij ka tronditur shtetin me 2.4 milionë banorë që ka probleme të mëdha në shëndetësi.

Në fshatin e Serrekundas, Alieu Kijera ka humbur të birin e tij, Muhammedin.

Dyvjeçari është në mesin e disa fëmijëve që vdiqën në këtë fshat shkaku i shurupit. Babai rrëfen për problemet shëndetësore të të birit.

“Muhammedi ishte me grip. Kështu nisën problemet. Pastaj shkuam në spital të enjten, i dhanë disa ilaçe dhe u kthyem”, ka theksuar Kijera.

Kur shëndeti i tij u përkeqësua, veshkat nuk i kishte mirë. Familja nuk kishte tjetër qare veç ta dërgonte në shtetin fqinj të Senegalit, vendi më i afërt për trajtimin e dializave kritike, mirëpo Muhammedit nuk i përmirësohej gjendja.

“I bën shumë teste, një seri të testeve dhe dializën dhe pas dy javësh ai vdiq”.

Në fillim të javës, OBSH-ja ka alarmuar për katër shurupe të kollit në lidhje me vdekjet në Gambi.

Këto katër shurupe ishin prodhuar nga një kompani indiane, e cila nuk ka garantuar për sigurinë e tyre, ka bërë të ditur OBSH-ja.

Vdekja e fëmijëve nga shurupet e pakontrolluara ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në Gambi.

“Na mbytën 66 fëmijët të cilët do të ishin e ardhmja e këtij shteti. Kjo është e tmerrshme dhe jam shumë i nevrikosur”, ka shtuar Kijera.

Teksa shurupet e kontaminuar janë zbuluar vetëm në Gambi deri më tani, OBSH-ja është shprehur e shqetësuar se shurupet vdekjeprurëse kanë mundur të shpërndahen në shtetet e tjera.

OBSH-ja ka nisur hetimin me kompaninë dhe autoritetet në Indi për të zbuluar se në cilat shtete kanë mundur të shpërndahen shurupet.

Ndërkaq, Gambia nuk ka laborator për testimin e sigurisë së ilaçeve, prandaj duhet t’i dërgojnë në shtetet e tjera.

Familjarët e fëmijëve janë të pakënaqur me shtetin që nuk ka sistem të mirë shëndetësor. Sikur t’i kishin ilaçet e duhura, janë të bindur se fëmijët do t’i kishin përsëri në krahë. /koha