Gati 12 mijë prindër aplikuan për subvencionim të teksteve shkollore sot

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se nga hapja e platformës për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore e deri në orën 19:00, kanë aplikuar 11,800 prindër ose kujdestarë ligjorë.

“Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar po ashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shtuar se shtëpitë botuese kanë dhënë zotimin se çmimet e teksteve shkollore nuk do të rriten e se sasia e tyre do të jetë e mjaftueshme.

Platforma për aplikim do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator. /koha