Gati një mijë aktakuza të përgatitura në Teheran në lidhje me protestat për Mahsa Aminin

Njoftohet se në kryeqytetin e Iranit, Teheran, janë përgatitur afro një mijë aktakuza në lidhje me protestat e nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit teksa ishte në arrest policor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, Kryetar i Gjykatës se Lartë të Teheranit, Ali Al-Kasi Mihr, bëri një deklaratë në lidhje me këtë temë në takimin e Gjyqësisë së Lartë.

“Rreth një mijë aktakuza janë përgatitur në lidhje me krimet e rënda, si kryerja e akteve shkatërruese në ngjarjet e fundit, shkaktimi i plagosjes ose vdekjes duke sulmuar forcat e sigurisë dhe djegia e pronave publike”, tha Al-Kasi Mihr.

Zyrtari iranian gjithashtu tha se seancat do të jenë publike.

Protestat në Iran

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Emini, e cila u dërgua në spital në gjendje kome pasi u ndalua nga patrullat e Irshad, e njohur si “policia e moralit”, më 13 shtator në Teheran, bëri që më 16 shtator të nisin protesta kundër qeverisë së vendit.

Edhe pse ka pasur deklarata nga burime zyrtare se civilë dhe forca të sigurisë kanë vdekur gjatë incidenteve, nuk është dhënë asnjë informacion i qartë për numrin e viktimave.

Organizata Iraniane për të Drejtat e Njeriut me seli në Norvegji, nga ana tjetër, ka njoftuar se më shumë se 200 njerëz janë vrarë në demonstrata, ndërsa në disa pjesë të vendit ende vazhdojnë protestat.