Gjeneratat, pensioni dhe realiteti ekonomik: Çfarë tregojnë studimet më të fundit
Dëshira për t’u larguar nga tregu i punës sa më herët po rritet dhe nuk bëhet fjalë vetëm për punëtorët e lodhur.
Mosha mesatare ligjore e pensionit në Europë sot luhatet rreth 64.3 vjeç, ndërsa në SHBA-të arrin në 65 vjeç. Edhe pse ligji lëviz në drejtimin e rritjes, preferencat e brezave tregojnë një dëshirë krejt tjetër.
Gjenerata Z, për shembull, ëndërron një pension rreth moshës 50–59 vjeç. Por, realiteti ekonomik ua ul shpresat, pasi pritet që kjo gjeneratë të dalë në pension rreth moshës 67 vjeç. Edhe më tej, millennials, Gen X dhe baby boomers parashikohet të dalin në pension minimalisht në moshën 69 vjeç.
Çfarë thonë studimet
Një analizë e Pew Research Center (2025), tregon se në shumicën e vendeve të zhvilluara, mosha ideale për pension perceptohet rreth të 58-ave. Por idealja është një gjë, mundësia reale është tjetër histori.
Argumenti është i thjeshtë: kostoja e jetesës dhe pasiguria ekonomike po e shtyjnë pensionin gjithnjë e më larg.
Një studim i Kearney sjell një panoramë jo shumë optimiste për Europën.
• 47% e europianëve frikësohen se nuk do të arrijnë një standard të këndshëm jetese gjatë pensionit.
• 32% nuk janë në gjendje të parashikojnë të ardhurat e tyre pas daljes në pension.
• 63% e grupmoshës 60–75 vjeç shqetësohen se nuk do të mbajnë dot nivelin aktual të jetesës.
• 41% presin të vazhdojnë punën edhe pas moshës së pensionit.
Kjo është një tablo që sinjalizon një krizë të qartë besimi, një gjendje të cilën ekspertët e përshkruajnë si rezultat të rritjes së inflacionit, kostove të banesave dhe rrogave që nuk e ndjekin më ritmin e rritjes së çmimeve.
Pse amerikanët e kanë akoma më të vështirë pensionin e hershëm
Në SHBA-të situata shfaqet edhe më e tensionuar.
• Gati 2/3 e amerikanëve thonë se pensioni midis moshës 65–70 vjeç është “i paarritshëm”.
• 20% nuk kursejnë fare për pension.
• Një në tre amerikanë nuk vë mënjanë asnjë dollar për të ardhmen.
• Çmimet e banesave janë rritur me 50% që prej 2020-s.
• Shpenzimet ushqimore pritet të rriten deri në 100%.
• Edhe ata me të ardhura me gjashtë shifra ndihen nën presion ekonomik.
Në një ekonomi të tillë, ku inflacioni, borxhi dhe kostot bazike po rriten vazhdimisht, pensioni i hershëm shndërrohet në luks të pa kapshëm.
Megjithëse çdo brez ka ëndrrën e tij për një dalje të qetë nga tregu i punës, realiteti ekonomik po i mbyll dyert njëri pas tjetrit.
Gjeneratat më të reja duan më shumë liri, por u duhet të përballen me një botë më të shtrenjtë, më të pasigurt dhe dukshëm më të paparashikueshme.








