Gjashtë të lënduar nga aksidenti mes veturës dhe autobusit në magjistralen Prishtinë-Podujevë

Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident trafiku që ka ndodhur mes një veture dhe autobusi në magjistralen Prishtinë-Podujevë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Si pasojë e aksidentit deri më tani trajtim mjekësor kanë kërkuar gjashtë persona të lënduar”.

Ai tutje ka sqaruar rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.

“Rreth orës 13:00, është raportuar për një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Podujevë, respektivisht në fshatin Lluzhan. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një autobus dhe një veturë”, ka thënë Borovci.

Mes tjerash, ka bërë të ditur se policia rajonale dhe e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti.