Gjermani, arrestohen disa neo-nazistë për planifikim të sulmeve

Policia gjermane arrestoi të hënën gjashtë persona të cilët akuzohen për themelimin e një organizate terroriste të së djathtës ekstreme dhe për hartimin e planeve për sulmeve ndaj të huajve në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të prokurorisë Federale thuhet se të dyshuarit janë pjesë e “Revolucionit Chemnitz”, një grup terrorist i ekstremit të djathtë, i themeluar së fundmi në qytetin gjerman të Chemnitzit.

“Grupi kishte për qëllim të kryej sulme të armatosura ndaj të huajve dhe kundërshtarëve politikë”, thuhet në kumtesë.

Gjashtë të dyshuarit, të gjithë të moshës mes 20-30 vjeçare, u arrestuan gjatë bastisjeve të policisë në shtetet federale të Bavarisë dhe Saksonisë.

Që nga gushti, grupet e ndryshme të ekstremit të djathtë, organizuan disa tubime në qytetin Chemnitz të Saksonisë, duke vënë në shënjestër njerëzit të cilët “kanë pamjen e të huajve”, si dhe sulmuan dyqanet pronë e emigrantëve.