Gjermani, ndalohet ish-lideri katalonjas Puigdemont

Ish-presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, ndaj të cilit është lëshuar urdhër-arrest evropian është ndaluar në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Avokati i Puigdemont, Jaume Alonso-Cuevillas njoftoi për lajmin në një mesazh të shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Cuevillas bëri të ditur se Puigdemont pas takimeve të tij në Finlandë është nisur për t’u kthyer në Belgjikë, por që është ndaluar nga policia gjermane pasi hyri në kufirin e Gjermanisë nga Danimarka.

Avokati tha se Puigdemont po mbahet në kushte të mira në një stacion policor të Gjermanisë, duke shtuar se ai ka bërë përgatitjet e nevojshme juridike.

Gjykata e Lartë Spanjolle, ditën e premte lëshoi urdhërarrest evropian për Puigdemontin dhe katër politikanë të arratisur.

Procesi

Pas shpalljes së pavarësisë së njëanshme më 27 tetor të vitit 2017 në Katalonjë, autoritetet spanjolle filluan hetime ndaj Puigdemont, i cili së bashku me katër ish-ministra kishte ikur në Belgjikë.

Në zgjedhjet e mbajtura më 21 dhjetor pas vendimit të qeverisë qendrore, partitë separatiste me diferencë të vogël fituan shumicën për formimin e qeverisë.

Kryetari i Parlamentit të Katalonjës, Roger Torrent, rishpalli kandidat për president të rajonit kreun e shkakruar Puigdemont, duke njoftuar mbajtjen e një votimi më 30 janar.

Mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Spanjës se Puigdemont mund të jetë president vetëm nëse merr pjesë personalisht, në vend të tij si kandidat u propozua njëri nga liderët e shoqërisë civile katalonjase në burg, Jordi Sanchez. Por, pas refuzimit të kërkesës së Sanchez-it për lirim, u propozua Jordi Turull.

Parlamenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës më 22 mars, tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme u mblodh për zgjedhjet presidenciale.

Në seancë u diskutua kandidimi i separatistit Jordi Turull, emri i të cilit vjen në plan të parë pas Puigdemont-it dhe liderit në burg të shoqërisë civile katalonjase, Jordi Sanchez.

Pak kohë para seancës njëra nga partitë separatiste CUP bëri të ditur se nuk do ta mbështesë Turull-in për shkak se programi i tij qeveritar nuk parasheh formimin e një shteti të pavarur. Turull nuk arriti të marrë votat e nevojshme për t’u zgjidhur.

Politikanët separatistë katalonjas, në mesin e të cilëve është edhe Puigdemont, akuzohen për “rebelim kundër shtetit” për shkak të rolit të tyre në referendumin e paligjshëm dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës.