Gjermani, pilotët e Eurowings nisën grevën 3-ditore

Pilotët në Eurowings filluan sot grevën tre-ditore, duke detyruar kompaninë ajrore gjermane të anulojë qindra fluturime, raporton Anadolu Agency (AA).

Greva filloi në orën 00:01 të mëngjesit me orën lokale dhe do të vazhdojë deri të mërkurën në orën 23:59, thuhet në deklaratën e Sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit.

Kompania ajrore me kosto të ulët e Lufthansa Group u ka kërkuar pasagjerëve që të kontrollojnë orarin e fluturimeve të tyre në internet përpara se të nisen në aeroport.

“Eurowings shpreh keqardhje të thellë për shqetësimet e shkaktuara pasagjerëve dhe po bën gjithçka që është e mundur për të minimizuar ndikimin e grevës mbi ta”, thuhet në deklaratë.

Në orët e para të së hënës, u anuluan 185 fluturime për dhe nga aeroportet e Dyseldorfit, Këln-Bon dhe Shtutgartit.

Më së shumti nga greva janë goditur fluturimet e brendshme ndërsa kompania ajrore tha se fluturimet e Eurowings Europe dhe Eurowings Discover nuk do të preken nga greva.

Sindikata e pilotëve vendosi javën e kaluar të organizojë një grevë tre-ditore pasi bisedimet me menaxhmentin e Eurowings nuk rezultuan me arritjen e një marrëveshjeje për kushtet e punës.

Vereinigung Cockpit po kërkon një reduktim të orëve maksimale të punës dhe periudha më të gjata pushimi ndërsa Eurowings këmbëngul se kërkesat e Sindikatës nuk janë ekonomikisht të zbatueshme. /aa