Gjermania i premton Moldavisë ndihmë ushtarake

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë u zotua të rrisë ndihmën ushtarake për Moldavinë, pasi pushtimi rus i Ukrainës e bëri atë të ndjehet e pambrojtur ndaj agresionit të Moskës.

”Negociatat mbi detajet e mbështetjes do të zhvillohen javën e ardhshme”, tha sot ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinev.

Pas takimit me homologun e saj Anatolie Nosati, ajo përmendi në mënyrë specifike dëshirën e Moldavisë për të blerë dronë.

Ajo tha gjithashtu se Gjermania do të ndihmonte në sigurimin dhe shkatërrimin e municioneve të vjetra të epokës sovjetike.

Moldavia është një nga vendet më të vogla në kufirin me Ukrainën dhe ka pranuar një valë refugjatësh që ikin nga lufta e Rusisë.

Që nga fillimi i luftës shtatë muaj më parë, rreth 500 000 refugjatë kanë mbërritur në Moldavi, e cila vetë ka një popullsi prej vetëm rreth 3,2 milionë banorë.

Shumë prej tyre janë zhvendosur në vende të tjera dhe të tjerë janë kthyer në Ukrainë.

Rreth 95 000 refugjatë kanë mbetur, shumica e tyre janë marrë nga të afërmit.

Rreth 10% jetojnë në strehime kolektive.

Moldavia po lufton gjithashtu me efektet e dëmshme në ekonomi.

Vendi ka një nga normat më të larta të inflacionit në Evropë dhe çmimet e karburanteve janë rritur 380% në një vit.

Lambrecht tha se ishte e rëndësishme që qeveria gjermane të mbështeste Moldavinë në lidhje me furnizimet me energji. /koha