Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gjermania kritikon Izraelin për synimin e aneksimit të Bregut Perëndimor

Gjermania kritikon Izraelin për synimin e aneksimit të Bregut Perëndimor

Gjermania kritikoi Izraelin për vendimin e tij të fundit për të forcuar kontrollin në Bregun Perëndimor, duke e quajtur atë një hap të mëtejshëm drejt “aneksimit de facto” të territorit të pushtuar palestinez, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Josef Hinterseher, në një konferencë për shtyp në Berlin tha se masa e Izraelit është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe bie ndesh me mendimin e fundit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila i kërkoi Izraelit të përfundojë pushtimin në Bregun Perëndimor.

“Ky vendim u lejon individëve privatë izraelitë të blejnë tokë në Bregun Perëndimor, transferon pjesë të administratës së Bregut Perëndimor te autoritetet civile izraelite dhe e gjithë kjo bie ndesh me detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare”, tha zëdhënësi.

“Kjo përfaqëson një hap të mëtejshëm drejt një aneksimi de facto. Ju keni parë gjithashtu se anëtarët e kabinetit në Izrael kanë komentuar për këtë, duke folur për sovranitetin de facto izraelit në Bregun Perëndimor. Kjo nuk përbën asgjë tjetër përveç një zgjerimi të administratës izraelite në Bregun Perëndimor, duke nxitur kështu aneksimin”, shtoi ai.

Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi të dielën masa që synojnë ndryshimin e kuadrit ligjor dhe civil në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.

Transmetuesi publik izraelit KAN tha se vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalonte shitjen e tokës në Bregun Perëndimor tek individët privatë izraelitë, hapjen e të dhënave të pronësisë së tokës dhe zhvendosjen e autoritetit për lejet e ndërtimit në një bllok vendbanimesh pranë Hebronit nga një komunë palestineze te administrata civile e Izraelit.