Gjermania ndërhynë në krizën e Katarit

Përshkallëzimi i krizës në Gjirin Persik, për shkak të sanksioneve që disa vende arabe zbatojnë kundër Katarit, ka vënë në lëvizje edhe Gjermaninë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel ka filluar një turne vizitash në vendet e Gjirit.

Në kuadër të këtij misioni, Gabriel do të përpiqet të zbusë tensionin me kontaktet që do të ketë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Kuvajt.

Në një prononcim, shefi i diplomacisë gjermane tha se kriza po e kërcënon në tërësi paqen dhe stabilitetin e Gjirit.

“Ne nuk jemi as në këtë anë, e as në anën tjetër. Nuk mbajmë anën e askujt. Vetëm se kriza e Gjirit nuk intereson vetëm vendet e këtij rajoni, që kanë rënë në mosmarrëveshje, por në të njëjtën kohë prek nga afër edhe interesat tona”, theksoi Gabriel.

Kriza e Gjirit kërcënon edhe ekonominë gjermane.

Katari sot është prodhuesi më i madh në botë i gazit të lëngëzuar.

Biznesmenët gjermanë i kanë kërkuar politikës së vendit që të jetë më aktive ndaj krizës së Gjirit.

Ka shqetësime se nga ky tension do të preken edhe investimet gjermane.