Gjermania përshpejton procedurat për dëbimin e emigrantëve

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të parandaluar emigracionin e paligjshëm duke përshpejtuar procedurat e azilit, dhe ata që do të refuzohen për t’i deportuar sa më shpejt që të jetë e mundur nga Gjermania, shkruan albinfo.ch.

Njëkohësisht, me shpalljen e planit të ri për emigrantët, qindra policë gjermanë sot bastisën shtëpitë e emigrantëve në qytetin Ellwangen, në jug, disa ditë pasi një grup emigrantësh kishte penguar autoritetet për deportimin e 23-vjeçarit nga Togo.

“Ajo që ndodhi në Elwangen ishte një shuplakë për qytetarët që respektojnë ligjin”, tha ministri. Ai shtoi se e drejta e mikpritjes nuk mund të ecë në këtë mënyrë dhe se autoritetet do të përdorin gjithë forcën dhe vendosmërinë ndaj atyre që penguan deportimin e të riut.

Sipas planit më të fundit, Qeveria gjermane dëshiron të akomodojë emigrantë në disa qendra deri në dy vjet. Ata nuk do të zhvendosen në gjithë vendin përpara se të përpunojnë kërkesat e tyre për azil. Gjyqtarët do të punojnë në ato qendra, dhe azilkërkuesit që do të refuzohen, menjëherë do të dëbohen.