Gjermania pranon të ketë kryer “gjenocid” në Namibi

Gjermania ka pranuar zyrtarisht se ka kryer “gjenocid” ndaj grupeve etnike Herero dhe Nama në Namibinë e sotme në fillim të shekullit të 20-të, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne tani gjithashtu do t’u referohemi zyrtarisht këtyre ngjarjeve siç ishin nga perspektiva e sotme: një gjenocid”, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Ky hap i Berlinit erdhi pas negociatave mbi 5-vjeçare midis Gjermanisë dhe Namibisë për të adresuar historinë e tyre të vështirë dhe vrasjen masive të dhjetëra mijëra njerëzve autoktonë gjatë sundimit kolonial gjerman.

Qeveria gjermane përjashtoi dëmshpërblimet e detyrueshme ligjërisht për vrasjen e mijëra anëtarëve të grupeve etnike Herero dhe Nama midis viteve 1904 dhe 1908, por ofroi 1.1 miliardë euro (1.35 miliardë dollarë) ndihmë për zhvillim për shkak të përgjegjësisë së saj politike dhe morale.

Rreth 60 mijë anëtarë të grupit etnik Herero dhe 10 mijë anëtarë të grupit etnik Nama u vranë nga trupat koloniale gjermane në Afrikën Jugperëndimore midis viteve 1904-1908. /aa