Gjithçka rreth ditës së dytë të vizitës së Vuçiqit në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, qëndroi për një vizitë dy ditore në territorin e Republikës së Kosovës.
Një vizitë e paralajmëruar e Vuçiqit në fshatin Banjë të komunës së Skënderajt, shkaktoi reagim tek banorët e kësaj pjese, shkruan lajmi.net.

Ashtu edhe siç u bë e ditur dje gjatë mbrëmjes, në një protestë të organizuar nga dega e veteranëve të UÇK-së në Skënderaj, u vendosën barrikada për të mbyllur të gjitha rrugët që dërgonin në fshatin Banjë të Skënderajt.

Pjesëmarrës në këtë protestë ishin edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, duke përfshirë deputetin Bekim Haxhiu, zëvendësministrin në MZHE, Gani Koci si dhe vetë kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari.

Pas disa orësh protestë, Haradinaj përmes Facebookut kumtoi lajmin se Vuçiqit i është revokuar leja për të hyrë në zonën e Drenicës.

Sipas tij, Qeveria mori këtë vendim me qëllim të ruajtjes së situatës së sigurisë.

Megjithatë, Vuçiq tentoi që ta vizitojë këtë fshat të Skënderajt, ku gjatë rrugës u ndalua nga Policia e Kosovës.

Pas asaj ndalese, Vuçiq u rikthye në Mitrovicë të Veriut ku vendosi kurora lulesh tek vendi ku në fillim të këtij viti u vra lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Aty Vuçiq mbajti edhe fjalimin e tij kryesor ku tha se një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk është as afër për t’u arritur, mirëpo se dialogu është i pashmangshëm.

Ai po ashtu tha se shteti i tij nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

Tutje, Vuçiq aty tha se ende nuk ka ndonjë draft-marrëveshje për dy vendet, ku shtoi se zgjidhja finale duhet të sjellë dobi për të dy palët.

Pas këtij fjalimi, Vuçiq u nis drejt pikës kufitare në Jarinjë ku edhe pritet të dalë nga territori i Kosovës.