“Gjithë njerëzimi ka nevojë për mëshirën e Islamit”

Kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Görmez, ka thënë se civilizimi Islam po kalon përmes një proces të vështirë dhe më pas ka shtuar: “Rinia duhet të përpiqet për ringritjen në këmbë të këtij civilizimi të shenjtë, i cili do të jetë shpëtim dhe mëshirë përsëri për njerëzimin”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Çështjeve Fetare të Turqisë, Görmez, ka marrë pjesë në ligjëratën e zhvilluar në Xhaminë e Kaltër në Stamboll, gjatë namazit të sabahut në kuadër të takimeve të shoqatës Cihannüma (Gjithësia e Universit). Gjatë këtij programi janë kënduar pjesë nga Kur’an-i Kerim dhe Görmez ka mbajtur një ligjërate. Ndërsa pas namazit është mbajtur edhe një lutje.

Görmez ka folur për virtytet e namazit të sabahut dhe më pas ka thënë se ai është shumë i rëndësishëm për besimtarin.

Duke vënë në dukje se çdo agim është një ringjallje për besimtarin, Görmez në vijim të fjalës së tij ka shtuar: “Namazi është bisedë me Allahun. Është takim me të. Fatiha është dialog me Allahun. Namazi është takim 5 herë në ditë me Allahun. Rini, asnjëherë mos e shtyni namazin. Koha më e bukur e adhurimit është rinia”.

Görmez ka thënë se çdo besimtar ka një marrëveshje me Allahun dhe më pas ka shtuar: “Të nderuar të rinj. Çdo lindje dhe rilindje gjatë agimeve kalojeni në prani të Allahut. Kur ne lindim na këndojnë në vesh ezanin dhe kjo bëhet në mënyrë që çdo lindje dhe rilindje e jona të bëhet me ezan gjatë gjithë jetës tonë. Zoti mos na privojë nga kjo begati”.

Ai ka vënë në dukje se xhami të mëdha si Xhamia e Kaltër, Bejazit dhe Sulejmanie, përjetojnë mërgim gjatë namazeve të sabahut për shkak se nuk ndodhen në lagje me banesa.

“Pejgamberi ynë thotë në hadithet e tij, ‘Nëse ju do të dinit dobitë dhe rëndësinë e faljes së namazit të sabahut përpara Allahut në unitet dhe bashkëri, do të shkonit zvarrë kur nuk do të kishit fuqi’. Por ne të cilëve Allahu na ka dhënë fuqinë, të mos e privojmë veten nga kjo begati e madhe”, tha Görmez në vijim të fjalës së tij.

Görmez duke thënë se umeti i Islamit është duke kaluar përmes një periudhe shumë të vështirë dhe një sprove të madhe, në vijim shtoi:

“Të dashur vëllezër. Ne si umeti Islam jemi duke kaluar përmes një periudhe shumë të vështirë. Nga njëra anë shumë miq dhe vëllezër tanë në Afrikë humbin jetën për shkak të mungesës së ushqimit. Ndërkohë që ne jemi duke falur namazin e sabahut këtu, në rrugët, brigjet dhe fushat e Kenias dhe Somalisë, shumë fëmijë dhe të rritur janë duke kërkuar për një kafshatë bukë dhe një pikë ujë. E gjithë bota është në dijeni të kësaj. Nga ana tjetër pamë javën e shkuar dëgjuam vajtimin e fëmijëve të pafajshëm në Idlib. Shumë muslimanë në Halep, Mosul, Damask, Jemen, Libi dhe Arakan, janë në gjendje shumë të vështirë. Civilizimi Islam është duke kaluar përmes një periudhe shumë të vështirë. Ndërsa ajo që i takon të rinjve tanë, janë përpjekjet e tyre për ringritjen e këtij civilizimi të shenjtë i cili është shpresë dhe mëshirë për të gjithë njerëzimin. Të gjithë ne duhet të punojmë në çdo moment për të ringritur në këmbë civilizimin Islam. I gjithë njerëzimi ka nevojë për mëshirën e Islamit. I gjithë universi ka nevojë për mëshirën e Islamit. Në këtë kontekst, çdo i ri ka detyrën e tij. Të gjithë duhet të punojmë me gjithë forcën tonë”.