Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të shpallë urdhër për masa shtesë ndaj Izraelit në rastin e gjenocidit

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) do të shpallë të premten urdhrin e saj rreth kërkesës për masa shtesë të përkohshme ndaj Izraelit në rastin e gjenocidit, transmeton Anadolu.

“Një seancë publike do të zhvillohet në orën 15:00 në Pallatin e Paqes në Hagë, gjatë së cilës gjyqtari Nawaf Salam, President i Gjykatës, do të lexojë urdhrin e Gjykatës”, tha gjykata e lartë e OKB-së në një deklaratë.

Javën e kaluar, GJND-ja mbajti një seancë dyditore për masa shtesë të përkohshme kundër Izraelit. Ajo përfundoi me kërkesën e gjykatës nga Izraeli për të dhënë informacion në lidhje me kushtet ekzistuese humanitare në zonat e përcaktuara të evakuimit në Rripin e Gazës.

Më shumë se 35.600 palestinezë janë vrarë, shumica dërrmuese e të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, dhe rreth 79.900 të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në GJND.

Në një zhvillim të ngjashëm, prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale Karim Khan tha të hënën se ai ka arsye të arsyeshme për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i mbrojtjes Yoav Gallant mbajnë përgjegjësi penale për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” të kryera në territoret palestineze, veçanërisht në Rripin e Gazës.