Gjykata Speciale e përmbys historinë e Kosovës!

Agim Popoci

Askush në Kosovë nuk e ka pritur që në Gjykatën Speciale në Hagë njëri prej krerëve të UÇK-së të thotë se PO, ka urdhëruar torturimin e serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, sepse ata kanë kryer krime ndaj shqiptarëve! As 135 dëshmitarë, si në rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, por të paktën një ushtar i cili thotë se “PO, kam vrarë serbë, por jo me urdhër të gjeneralit”. Kosova, UÇK-ja, historia dhe ardhmja shqiptare e këtij vendi e meritojnë një akt të tillë!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Duke filluar nga 3 prilli i vitit 2023, ditën kur në Gjykatën Speciale në Hagë filloi procesi kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimit, pas një akuze absurde nga prokurorët, mbrojtja e tyre bëri një ndarje me thikë të epokave të Kosovës që shqiptarët nuk i kanë njohur më parë, duke lënë gojëhapur edhe më idealistët, se Gjykata Speciale në Hagë edhe mund të zbardhë diçka! Më 3 prill, shqiptarëve iu tha se janë gënjyer për më shumë se dy dekada, ngase askush nga krerët e UÇK-së nuk ka luftuar dhe askush nuk ka komanduar dhe i mbetet Gjykatës Speciale të na thotë se si u çlirua vallë Kosova!

E shqiptarët, si moskokëçarës që janë, nuk u pengon t’i shohin serbët se si e festojnë edhe sot e kësaj dite Betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, pa përmendur asnjë nga mizoritë serbe kundër turqve, por trishtohen dhe turpërohen për luftën e zhvilluar 600 vjet më pas, ku vetë ishin protagonistë, kur një prokuror i panjohur me dëshmi serbe u thotë se gjatë luftës së Kosovës, kur forcat serbe po digjnin gjithçka mbi tokën kosovare, na qenkan torturuar 10 ose 100 serbë e bashkëpunëtorë të tyre në malet kosovare!

Për fat të keq, edhe ata që mendojnë se Kosova filloi të ekzistojë nga viti 1998, kur u themelua UÇK-ja, nuk u mjaftoi koha nga nëntori i vitit 2020, kur në këtë Gjykatë Speciale përfundoi Presidenti Hashim Thaçi, që ta kuptojnë se ky proces nuk ka dhe nuk kishte për qëllim ta zbardhë drejtësinë, por ta përdhosë një elitë ushtarake, e cila me ndihmën e një populli injorant lejoi të ngjitet në majat e politikës kosovare, duke shpërfillë proceset e krijimit të të gjitha shteteve që dolën nga ish Jugosllavia! Madje, ata e shpërfillën dhe sinjalin që iu dha me Shtëpinë e Verdhë dhe trafikun e organeve, duke menduar se të qenit në pushtet e krijon edhe paprekshmërinë, madje edhe kur vjedh gjithçka që del përpara!

Sot kokulur nuk janë vetëm ata në bankën e të akuzuarve, por e gjithë Kosova që ua ngarkoi mbi samar 3-4 çlirimtarëve të bërat dhe të pabërat e tyre vetëm e vetëm për t’i justifikuar vjedhjet që bënë në emër të lirisë. Duke mbyllur sytë, ta shohin se janë edhe 99 për qind e çlirimtarëve që janë komanduar nga po këta njerëz që bëjnë jetë normale, madje që nuk kanë edhe bukë në sofrën e tyre.

Nga Shtëpia e Verdhë te Shtëpia e Zezë

Kur tam-tamet serbe në vitin 2010 filluan të flasin mbi Shtëpinë e Verdhë, njohësit minimalë të gjeografisë ose dhe ata të realitetit shqiptar të vitit 1999 e kishin të paimagjinueshme ta perceptojnë se në Gurë të Matit mund të bëhej transplantimi i organeve kur një gjë e tillë nuk kishte mundësi të ndodhte në asnjërin nga spitalet e Shqipërisë as në vitin që përflitej ky makabritet, e lëre më në një fshat të humbur shqiptar!

Rrëfenjën serbe e bënte edhe më të pabesueshme fshati në të cilin ishte imagjinuar ky makabritet, që mund të imagjinohet vetëm nga në një kokë serbe, meqë nuk kishte lidhje as me pozitën gjeografike nga mund të bëhej edhe ndonjë trafik i armëve nëse jo ai i organeve, meqë bëhej fjalë për luftë!

I pabesueshëm po, por para se të fillonte rrëfenja serbe në familjen e Abdullah Katuçit, në Gurë të Matit kishin zbarkuar ca punëtorë të UNMIK-ut, që u prezantuan si prokurorë, e kishin këqyrë vendin e ngjarjes, kishin marrë mostrat që i konsideruan të duhura dhe gjithçka që u pa syri në shtëpi dhe e vlerësuan si të dyshimtë, si dhe para e pas përroit që ishte në krah të shtëpisë, ndërsa e pasuronin bindjen e tyre UNMIK-ase me dëshmitarë të rrëfenjave të komandantëve të UÇK-së! Për fat të keq, po këta komandantë që ishin në pushtet nuk u shqetësuan për këto rrëfenja serbe dhe as për hetimet e njerëzve të UNMIK-ut edhe kur ato u kryen nga patologë spanjollë, sepse u mjaftuan me shpatullat që i kishin të ngrohura nga Perëndimi tashmë edhe në Kosovën e shpallur shtet i pavarur dhe sovran!

Kur kjo rrëfenjë serbe u shndërrua në akuzë, nuk dihet se si u shfaq edhe në librin e kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, për t’u shtrënguar në duart e një deputeti zviceran në Këshillin e Europës, i kotë ishte reagimi i atyre që ishin akuzuar dhe me heshtje kishin nxitur të mendojnë gjithë atë komunitet që kjo edhe mund të ketë ndodhur! I vonuar ishte dhe reagimi i urologëve dhe nefrologëve që hidhnin poshtë mundësinë e trafikut të veshkave, për të cilat flitej në kushte shtëpie, aq më shumë në një zonë të thellë, ku mungon jo vetëm sterilizimi, por edhe uji, drita, rruga…

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, në atë kohë, sot mund të mos ishin të ulur në bankën e të akuzuarve, por rrugëtimi që ata zgjodhën nga Shtëpia e Verdhë deri te miratimi me dorën e tyre të Shtëpisë së Zezë (Gjykatës Speciale) ishte dhe është personal dhe vetëm për të këtë nuk duhet të shpreh asnjëri keqardhje, por duhet ta vuajnë të gjithë këtë kalvar vuajtjesh.

Ndërkaq akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë humor i zi skëterrë, aq më shumë pas 3 prillit kur u kuptua se ishin të bazuara mbi shkrime gazetash dhe intervista të komandantëve delirantë që kanë dhënë pas luftës, me përjashtim të Komunikatës nr. 59!

Dhe, në fund, në këtë Shtëpi të Zezë shqiptarët arritën të shohin edhe një mbrojtje të zezë skëterrë, ku lideri i tyre i luftës, dhe jo vetëm, prezantohet si njeri i parëndësishëm, ndonëse fjala e tij u besua dhe u dëgjua si interlokutor me ndërkombëtarët, para, gjatë dhe pas luftës, kur e dëgjuan dhe i besuan fjalës së tij, duke hequr dorë edhe nga veriu i Kosovës. Kur një shqiptar dëgjon nga goja e mbrojtjes, përkatësisht avokati Gregory Kehoe, se kush ishte Hashim Thaçi në vitin 1998, një djalë i ri, 30 vjeç, student, dhe ndonëse ishte kreu i delegacionit në Rambuje, ai në atë kohë nuk kishte kontroll mbi UÇK-në, madje nuk arriti as ta nënshkruante këtë marrëveshje. Ndërkohë atë e njohin si Drejtor Politik të UÇK, person kompetent në çdo takim me ndërkombëtarët, që solli dhe Gjeneral Agim Çekun nga Kroacia si komandant të UÇK-së, ndërsa na del një hiç dhe në Konferencën e Rambujesë.

Në këtë Shtëpi të Zezë u zhvlerësua dhe komandanti i UÇK-së, Azem Syla, për të cilin shqiptarët e kanë mësuar historinë ndryshe! Dhe, nëse marrim parasysh të paktën 5 gjeneratat e pasluftës, që kanë dalë nga arsimi fillor kosovar, rezulton jo një arsim, por impiant për prodhimin e idiotëve, që sot shohin se baballarët e tyre na e paskan pasur frikë një njeri kot, i cili u zëvendësua nga Sylejman Selimi edhe pa e pyetur fare, e se ku përfundoi Agim Çeku, vetëm Gregory e di.

“Thaçi ishte shef i delegacionit në Rambuje, por pushtetin efektiv e kishin komandantët e zonave. Azem Syla kishte shkuar në Rambuje si komandant i përgjithshëm i UÇK-së, por kur u kthye, nuk ishte më në atë pozitë, por ishte Sylejman Selimi.” deklaron mbrojtja, duke i dhënë përgjegjësi edhe Adem Demaçit, i cili nuk e pranonte Marrëveshjen e Rambujes, ndërsa duhej miratimi tij. Madje, thotë Gregory Kehoe, “edhe Sekretarja amerikane, Madeline Albright, e kishte telefonuar Demaçin për ta bindur!”. Dhe, jo vetëm kaq! Mbrojtja e tij nxjerr një deklaratë të Komandant Remit, që konfirmon se delegacioni ishte në rrezik nëse e nënshkruante Marrëveshjen – në atë rast avioni që i transportonte do të gjuhej me raketa!

Pra, Amerika i merr ushtarët dhe liderët e tyre nga mali, i fut në avion, të cilin nuk guxon ta gjuajë ushtria e Millosheviqit si njëra ndër ushtritë më të fuqishme në Europë, si gjatë vajtjes, ashtu dhe ardhjes nga Parisi, ndërsa është Komandant Remi ai i cili e bën ligjin mbi hapësirën e Kosovës!

Po, pra, Thaçi ishte kot, vazhdon me çekiçin e tij mbrojtja, sepse këtë e kishte thënë edhe Ambasadori Christopher Hill në librin e tij, si dhe senatori Joe Biden, sot President i SHBA-së.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, ka publikuar një dokument të Departamentit Amerikan të Shtetit të majit 1999 ku thuhet se “UÇK-ja nuk ka as komandë, as kontroll mbi Kosovën”: “Për më tepër, meqenëse nuk ka strukturë politike në Kosovë ose komandë dhe kontroll efektiv të UÇK-së, do të duheshin shumë muaj, nëse jo vite, për t’i organizuar ato për të përdorur dhe mbajtur çdo ndihmë ushtarake që do të ofronin Shtetet e Bashkuara!”.

Përveç komunikatës së DASH-it, mbrojtja e Thaçit i bën nul edhe të gjitha ato beteja të UÇK-së, duke përfshirë edhe atë të Koshares që e theu kufirin disa javë para kësaj deklarate. Dhe, aty ku mbrojtja ishte më komode, e komplikoi edhe më shumë situatën – paslufta! Me gojën e tyre mbrojtja na thotë se “Qeveria nuk kishte kontroll mbi strukturat ushtarake, sepse ato i kishin komandanti i KFOR-it, Mike Jeckson, dhe Agim Çeku, ndërsa UNMIK-u ishte mandatuar për ta vendosur sundimin e ligjit dhe rivendosjen e Institucioneve të vetëqeverisjes së Kosovës”. Kështu e zhvlerëson Hashim Thaçin e krerët tjerë të UÇK-së, vetëm e vetëm për t’u shfajësuar nga akuzat serbe, që u jetësuan në akuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të gjitha ato që ndodhën pas luftës, ndërkohë që atëherë ishte Qeveria e Përkohshme!

Akt i domosdoshëm

Askush në Kosovë nuk e ka pritur që në Gjykatën Speciale në Hagë njëri prej krerëve të UÇK-së të thotë se PO, ka urdhëruar torturimin e serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, sepse ata kanë kryer krime ndaj shqiptarëve! Askush nuk ka pritur as ta dëgjojë ndonjërin prej tyre, siç u tha në mbrojtjen e gjeneralit shqiptar në ushtrinë e Kroacisë, Rrahim Ademi, nga gruaja e tij, se atij i vjen vështirë ta presë edhe një pulë! As 135 dëshmitarë, si në rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, por të paktën një ushtar i cili thotë se PO, kam vrarë serbë por jo me urdhër të gjeneralit, Kosova, UÇK-ja, historia dhe ardhmja shqiptare e këtij vendi e meritojnë!

A mund ta bënin çlirimtarët e Kosovës një vend ndryshe të pasluftës duke mos hiperbolizuar asgjë nga ai tmerr që u ndodhi kosovarëve nga forcat serbe dhe pse nuk u mjaftuan me masakrat që njerëzimi nuk i njeh pas Luftës së Dytë Botërore?! Pse duhet të ngarkohet historia me plot të pavërteta dhe pse duhet të korrigjohet kjo histori, duke u reduktuar nga ca injorantë që harruan se çfarë është kombi, liria dhe, së fundi, shteti, të cilit ia shpallën pavarësinë! Dhe, a mund ta bënte mbrojtja një strategji ndryshe, për të mos hapur kanale të reja në dhimbjet e familjarëve shqiptarë, që kanë humbur mbi 12 mijë të dashur të tyre, 20 mijë vajza të përdhunuara dhe pothuajse të gjitha shtëpitë e tyre të shkatërruara! Duke pasur para vetes përvojat e Kroacisë dhe Bosnjës në shtetndërtim dhe Gjykatën e Hagës, si dhe respektimin e çlirimtarëve, si paslufta, ashtu edhe sjellja në Gjykatën Speciale duhet të kishin tjetër rrugëtim për çdo kosovar! Qytetari i Kosovës nuk u përgatit as edhe atëherë kur si fakt të kryer e pa Presidentin e tij, Hashim Thaçi, prapa hekurave. Po ato media që kërkonin çdo ditë themelimin e Gjykatës Speciale tashmë çdo ditë e akuzonin se ai po mbahej kot, duke harruar tmerret që kaluan zyrtarët kroatë dhe boshnjakë, edhe pse ishin në të drejtën e tyre në luftën për liri.

Po, Presidenti Franjo Tuxhman nuk shkoi në Hagë, por aty përfundoi simboli i çlirimit të Kroacisë nga Serbia, Ante Gotovina, si kreu i operacionit “Oluja” (shqip: Stuhia) me akuza të ngjashme si krerët e UÇK sot në Gjykatën Speciale! Gjeneral Ante Gotovina u dërgua në Hagë më 10 dhjetor 2005 dhe gjyqi kundër tij filloi më 11 Mars 2008. Pra, Hashim Thaçi nuk ishte as i pari dhe as i fundit që arrestohet në nëntorin e vitit 2020 dhe gjyqi i tij fillon në 3 prill 2023!

Për koincidencë, edhe në rastin e gjeneralit Ante Gotovina ishte angazhuar avokat Gregory Kehoe, dhe përkundër vështirësisë shumë herë më të madhe ku përgjegjësia komanduese ishte shumë më lehtë të ngarkohet, meqë kishim të bëjmë me një ushtri të rregullt, lehtësia e Gjeneral Gotovinës ishte se për dëshmitarë kishte ushtarë jo që e kundërshtonin torturën dhe vrasjen, por ata që pranonin e krimin, por jo të kryer me urdhrin e dhënë nga gjenerali! Gjykata e Hagës ishte kundër aksionit “Oluja”, por kurrë, në asnjë moment, nuk ishte Kroacia, qytetarët dhe ushtarët e saj. Por, as gjeneral Gotovina pas këtij aksioni nuk uzurpoi banesa e dyqane, nuk u mor me rivalët politikë ose nuk u përfol në ndonjërën prej vrasjeve në Kroacinë e pasluftës!

Avokati Gregory Kehoe dhe Luka Mishetiq, duke hedhur poshtë akuzat e prokurorisë dhe duke pranuar se kishte ca krime, thanë se më 6 gusht administrata civile kishte marrë kompetencat e sigurisë dhe Ante Gotovina ishte kthyer në detyrën e tij kryesore – ndalimin e ushtrisë së kriminelit serb, gjeneralit Ratko Mlladiq! Ishin dëshmitarët ata që i pranuan krimet dhe arsyet se pse në vendin e tyre të lindjes kishin vrarë edhe komshinj, por jo se u kishte thënë Gotovina. Ndërkaq eksperti Kristofer Albiston, duke bërë paralele me Irlandën e Veriut dhe Kosovën me përfundimin e konfliktit, tha se dhe ne rastin e “Katrinës” në New Orleans dhe trazirave në Paris ishin kriminelët që vepruan!

Për shqiptarët që harrojnë jashtëzakonisht shpejt, më 15 prill 2011 Gjykata e Hagës e dënoi gjeneralin Ante Gotovina me 24 vjet burg nga 27 vjet sa kishte kërkuar Prokuroria në pretencën e saj më 1 shtator 2010. Dhe, më 16 nëntor të vitit 2012 ishte Gjykata e Apelit në Hagë e cila e shpalli të pafajshëm, duke konstatuar se “ndërmarrje kriminale e organizuar me qëllim të dëbimit të serbëve nga Krajina nuk ka ekzistuar”.

Se cili do të jetë fati i krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi sot nuk mund të thuhet me saktësi, meqë ai sapo ka filluar, por është e qartë se kemi të bëjmë me një gjyq të pastër politik. Por, pse kishim një opinion publik të dyzuar dhe pas kësaj mbrojtje edhe të rrënuar për këta krerë të luftës çlirimtare, ky është shqetësimi më i madh dhe gjithçka buron në respektimin e krijuar për çlirimtarët!

Për ta kuptuar respektimin e duhur për çlirimtarët po sjell vetëm një dëshmi të rrëfyer nga ish-zëvendësministri i Mbrojtjes i viteve ‘90 dhe ambasadori i Kroacisë në Tiranë, Josip Juras, pas takimit me ca zyrtarë të Kosovës dhe bastit të humbur në vitin 2000 me mua se Stipe Mesiqi do t’i fitojë zgjedhjet. Si mik të përbashkët që e kishim Presidentin Franjo Tuxhman, më ftoi në ambasadë për të vazhduar më pas në “drekën e humbur”, duke më thënë se kishte një surprizë. Më priti me një album fotografish mbi tavolinë dhe më afroi një fotografi ku ishin dy oficerë në një kanal në fushëbetejë!

– Kush është ky? – më pyeti ambasadori Juras!

– Nuk e njoh, i thashë. Aq më shumë që të dy kishin helmeta.

– Heroi i Popullit të Kroacisë dhe Kosovës. – më tha me plot krenari Josip Jurasi, i cili ishte në foto me gjeneral Agim Çekun, për të cilin nuk kishin treguar ndonjë respekt të veçantë zyrtarët e Kosovës.

I zhgënjyer më pyeti se a e dija se ku ishte gjeneral Agim Çeku kur filloi “Oluja” dhe e vazhdoi rrëfimin.

– Kur u mor vendimi për aksionin “Oluja”, shkova në spital ta takoj Agim Çekun e plagosur dhe t’ia komunikoja vendimin sekret, por të shumëpritur nga ai, në veçanti për shkak të historisë familjare. Ndryshe nga sa mendova, lajmin e priti me lot në sy.

– Po, unë, çfarë fati, nuk do marrë pjesë në këtë operacion historik?! – më tha gjenerali i artilerisë, Agim Çeku!

– U shtanga. Mendova në çast për një ide, duke njohur mirë Franjo Tuxhmanin dhe i thashë t’i shkruajë një letër Komandantit të Përgjithshëm dhe ai kështu bëri.

– E nisa letrën vetë drejt Presidencës dhe ia dorëzova vetë në dorë. Më pyeti Presidenti se çfarë është kjo letër dhe e lexoi në vend. U emocionua shumë dhe më tha të ikim bashkë në spital, – vazhdoi rrëfimin atdhetari i madh kroat, që në karrierën e tij politike ishte edhe ministër i Kujdesit Social në qeverinë kroate.

Në spital Presidenti Tuxhman e thirri mjekun, e pyeti për gjendjen dhe mundësinë për të lëvizur. Përgjigja ishte negative, por ai ishte i prerë.

– Mirë, gjenerali i plagosur nuk lëviz dot, po shtrati a lëvizë dot?! – ishte i vendosur gjenerali Franjo Tuxhman!

– Dhe, gjeneral Agim Çeku ishte pjesë e Shtabit Operativ, që e realizoi me shumë sukses operacionin “Oluja”, që e largoi njëherë e mirë Serbinë nga Kroacia. – e përfundoi rrëfimin e tij që na emocionoi të dyve. Unë që po e dëgjoja për herë të parë dhe ai që i kujtoi ditët e luftës, edhe pse po e priste me kënaqësi pagesën e drekës për bastin e humbur! /revistashenja