Rebelizimi që çoi në shkarkim: Elisa nuk do jetë më në PS!
Përfundimisht Elisa Spiropali, ajo që deri dje Ramën e shihte si Skënderbe, nuk do jetë më pjesë e PS. Përjashtimi i saj është bërë në mbledhjen e grupit parlamentar të mazhorancës, ku kundër thuhet se kanë votuar vetëm Braçe e Cuçi.
Taulant Balla shpjegoi për mediat këtë zhvillim të beftë, duke thënë: “Do të keni dokumentacionin që do t’i vihet në dispozicion Kuvendit në lidhje me këtë vendimmarrje të Asamblesë, që në zbatim të rregullores u njoftua sot edhe në grupin parlamentar.
Pas 9 vitesh në grupin parlamentar mua më vjen shumë keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje. Në rastin në fjalë kemi një vendim i cili është fjalë për fjalë sipas statutit dhe rregullores. Ka një nen, neni 28, janë çështje të organizimit të brendshëm”, tha ai, pa shkuar më tej në komente.
Ky përjashtim vjen pas një statusi të gjatë e gati të ashpër të Spiropalit ndaj Ramës, edhe pse pa e përmendur me emër, ku shfaqte tipologjinë e saj njerëzore e politike që nuk e njihte nënshtrimin apo dorëzimin.
Me nota të theksuara delirance, ajo e vizatonte veten si një sfidante të denjë për Ramën, duke i çuar mesazh këtij të fundit se do e ketë gjithnjë përballë.
E tashmë, krahas Veliajt është Spiropali ajo që po teston veten përballë një bishe politike si Rama që dje u dha pushtet e sot po i zhvesh nga pushteti. /tesheshi




