Haradinaj e krahason mbesën e Mehmet Pashë Derallës me Marko Gjuriqin

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk i ka rënë pishman që largoi nga foltorja në Prizren një zonjë e cila kishte dal e paftuar për të marrë fjalën. Madje, tha se po të ishte burrë ndryshe do të sillej me të.

Gjatë manifestimit për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt dje, Haradinaj doli dhe largoi gruan e cila ka thënë se është mbesa e Mehmet Pashë Derallës, ish ministër në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Haradinaj, tha se sa të është ai në krye të Qeverisë askush nuk guxon të nëpërkëmbë ngjarjet që organizon shteti.

“Po iu them se sa të jem në këtë detyrë, kurrë askush nuk mundet me nëpërkëmbë ngjarje që organizon Kosova, a ke zonjë, a ke burrë, a ke fëmijë, kushdo qoftë. A ke djali i tij, apo çika e atij, nuk mundet kush me e nëpërkëmbë. Ka qenë një ngjarje shtetërore me rëndësi historike. Për fat të keq organizimi nuk ishte si duhet, më vjen keq prej popullit tim. Po prapë se prapë në prezencë timen, nuk mundet askush me nëpërkëmbë organizimet e këtij shtet”, tha Haradinaj.

Haradinaj është fort i bindur se me tërheqjen e gruas e ka dëshmuar veten si burrështetas. E krahason marrjen e fjalës së zonjës me arrestimin e Gjuriqit.

“Ne e kemi arrestuar Gjuriqin atje për me tregu që jemi shtet. Ne e kemi ndalur Frashër Osekun para gruas e fëmijëve, e na po e lejojmë një grua me na torturu një popull aty. Me thënë pastaj i hijshëm – i pahijshëm. Epo, pahijshëm kam me bë. Nëse po guxojmë me i bë disa sene tjera, atëherë nuk do të lëshojmë pe. Dhe kështu ka për të shkuar”, tha Haradinaj.