Haradinaj e quan “keqkuptim” deklaratën për gazetarët

Kryeministri Ramush Haradinaj ka komentuar “incidentin” që ndodhi sot me gazetaren e Ekonomia Online, Kaltrina Zymberi, që ka nxitur reagimin e AGK-së dhe të komunitetit të gazetarëve.

Ai e ka quajtur “keqkuptim” përgjigjen e tij me një gjuhë që nga gazetarët është cilësuar si fyerje.

Por, Haradinaj theksoi se nuk ka qëndrim të ri për demarkacionin nga ShBA-ja.“Sot në mëngjes ka pasur një keqkuptim…

Shikoni, unë i kam respektuar gazetarët prej se punoj me ju dhe besoj që kam me ju respektu gjithë”, iu drejtua Haradinaj, gazetarëve të pranishëm, gjatë vizitës në mihjen sipërfaqësore të Shipitullës, në orët e vona të mbrëmjes.

Por, ai ka këmbëngulur se nuk ka pasur qëndrim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth çështjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pasi ai e ka marrë detyrën.

“Nuk ka qëndrim zyrtar të ShBA-së që ka kritikuar ose kundërshtuar veprimin tim pas zgjedhjes kryetar qeverie për demarkacionin.

Pra është konstatim jo i drejtë. Dhe nëse kjo i pengon dikujt, unë muj me përdor gjuhë ma të butë, por keni parasysh e vërteta mbetet e vërtetë”, deklaroi Haradinaj.

Haradinajt nuk i kishte pëlqyer një pyetje e gazetares së Ekonomia Online për qëndrimin e Ambasadës Amerikane rreth demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.

Kur është pyetur gjatë një vizite në Ministrinë e Infrastrukturës të komentojë qëndrimin e zyrtarëve të Ambasadës Amerikane se nuk do të përkrahin version tjetër të demarkacionit, ai i ka porositur gazetarët “të shkojnë më shumë në shkollë“.

“Kam respekt për media shumë besoni. Por shumica juaj, as nuk dini me lexu anglisht, as s’po dini me i kuptu çka kanë thanë.

Problem është i juaji. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa e dit si raportoni, besoni.

Shkoni më shumë në shkollë, këqyrni çka po thonë ata. E shoh unë çka kanë thanë, e kam lexu deklaratën e tyre”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndaj kësaj deklarate, krahas AGK-së kanë reaguar dhe shumë gazetarë, kryesisht në rrjetet sociale.

Haradinaj ka thënë se formimi i një komision të ri për demarkacionin është një veprim i konsultuar me të gjithë partnerët politikë.

“Kjo është një qasje e re dhe nuk kemi ardhur këtu për të vazhduar me logjikën që na ka sjellë këtu”./Mesazhi/