Kryeministri Ramush Haradinaj takoi sot kongresmenin amerikan Eliot Engel, anise nuk folën për media Haradinaj ka zgjedhur sërish rrjetin social Facebook që të tregoi se çfarë kanë diskutuar.
“Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të, fqinjësi të mirë me vendet e rajonit dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj poashtu shkroi se Engel është memorie e gjithë rrugëtimit historik të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Ky është postimi i plotë i tij:
Kongresisti Eliot Engel është memorie e gjithë rrugëtimit historik të Kosovës. Fat i madh për vendin që në gjithë këto vite, për të realizuar të drejtën tonë dhe për të arritur këtu ku jemi sot ne kishim një zë të fuqishëm përkrah. I lumtur si në çdo rast tjetër, ta pres sot Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongres Amerikan, Eliot Engel dhe të ndajë me të të arriturat e vendit, sfidat dhe aspiratat tona. Kosova është e përcaktuar për të ardhmen euro-atlantike, në miqësi të përhershme me ShBA-të, fqinjësi të mirë me vendet e rajonit dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme që çon në njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Përjetë mirënjohës mikut të madh të shqiptarëve për tërë mbështetjen ndër vite!








