Haradinaj: Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj deklaroi se kufijtë janë vendosur me luftë dhe se vetëm lufta mund t’i ndryshojë ata, raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur sot pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjen e shqyrtimit të opsionit të korrigjimit të kufirit me Serbinë.

“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se luhen kufijtë ndryshe, gabim është”, tha Haradinaj në lidhje me çështjen.

“Këta kufij janë vendosur nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këto janë kufij lufte, janë dhjetëra mijëra njerëz në tokë për këta kufij. Është bukur imagjinatë e lehtë të mendohet që dikush luan me kufij. Nuk luhet me këta kufij”, shtoi ai.

Në lidhje me pyetjen se a do të mbështesin presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që në procesin e dialogut me Serbinë të diskutohet për çështjen e korrigjimit të kufijve, Haradinaj tha se “Ajo që ka mbetur në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke, dialogu është për njohje, në këta kufij, në këto të drejta. Kjo ka mbetur. Për këtë e mbështesim presidentin”.

Sipas tij, edhe retorika dhe dëshira e Kosovës që Presheva t’i bashkohet Kosovës është një lloj kundërretorike e asaj që Beogradi ka disa dëshira në Kosovë

“Ka njëfarë logjike kjo retorikë. Beogradi bën një retorikë, thotë Kosova është Serbi, disa të Kosovës ia kthejnë pastaj që Presheva është Kosovë e kështu me radhë. Fundi po e them mbetet aty ku është. Edhe unë këtu e shoh këtë retorikë të ndërsjellë”, tha ai.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë të mbajtur javën e kaluar ishte shprehur se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë.