Haradinaj në takim me krerët e institucioneve, diskutohet për rastin e Drenasit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka realizuar një takim pune për për rastin e Drenasit. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim pune ministrin e Brendshëm, Ekrem Mustafa, ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalaj, kryeshefen e Inspektoratit Policor, Miradie Kelmendi, dhe kryeinspektorin e Arsimit Dëfrim Gashi. Thotë se prej tyre ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha veprimet, bazuar në ligjet e Kosovës, për ta zbardhur të vërtetën dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, të gjithë ata që kanë kryer vepër të jashtëligjshme në rastin e të miturës nga Drenasi. “Institucionet e vendit, Prokuroria dhe Gjykata, duhet të dëshmojnë fuqinë e vet në zbatim të ligjit. Rasti i abuzimit seksual të të miturës nga Drenasi, duhet të trajtohet në kohë dhe me profesionalizëm nga të gjitha institucionet e vendit. Njëkohësisht, kërkoj nga të gjitha mekanizmat institucionalë dhe shoqërorë, që të bashkërendojnë politikat dhe aktivitetet, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla në të ardhmen”, thotë ai.