Hashimoto, sëmundja autoimune e tiroides që prek kryesisht gratë

Sindroma e Hashimotos, e njohur edhe si tiroiditi i Hashimotos, është një sëmundje autoimune e tiroides që prek kryesisht gratë.

Hulumtimet tregojnë se kjo gjendje ndodh 15 herë më shpesh tek gratë sesa tek meshkujt. Mjekët shpjegojnë se sindroma Hashimoto është shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit në botë, një çrregullim i tiroides që ka shumë pasoja negative për shëndetin.

Duke qenë se simptomat e kësaj sëmundjeje janë shumë delikate, është e vështirë t’i njohësh ato. Edhe pse nuk ka kurë për sindromën Hashimoto, ai mund të trajtohet me sukses. Pikërisht për këtë, thonë mjekët, duhet reaguar kur shfaqen simptomat e para. Shenjat më të zakonshme të kësaj gjendje janë lodhje, rraskapitje, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, rritje e ndjeshmërisë ndaj të ftohtit, dobësi e muskujve, dhimbje kyçesh, rritje e papritur e peshës trupore, fryrje, probleme me gjumin, lëkurë e thatë dhe e zbehtë, renia e flokeve, çrregullime të ciklit menstrual, infertilitet, ndryshim zëri, më së shpeshti ngjirurit e zërit, zmadhimi i gjëndrës tiroide.

Edhe pse të gjitha këto simptoma nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se një person ka sindromën Hashimoto, nëse i vëreni, duhet të bëni një ekzaminim mjekësor. Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël, e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Ajo sekreton hormone që kontrollojnë mënyrën se si një person përdor energjinë, por gjithashtu prek pothuajse çdo organ në trup dhe kontrollon disa nga funksionet më të rëndësishme të tij.

Disa prej tyre janë frymëmarrja, rrahjet e zemrës, tretja, por edhe humori. Çrregullimet e gjëndrës tiroide ndodhin kur ajo prodhon shumë ose shumë pak hormon dhe më së shpeshti këto janë hipertiroidizmi dhe hipotiroidizmi.