Haziri: Nëse demarkacioni ka probleme teknike, duhet të zgjidhen

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka qenë i ftuar në emisionin “Rrokum Roll”, ku ka folur rreth aktualitetit politik.

Haziri tha se me atë çfarë ndodhi dje në Kuvend askush nuk ka fituar dhe askush nuk ka humb, por vetëm është prolonguar procesi.

“Lajmi i mirë është se Fajon insiston se çështja e liberalizmit mos të shtyhet më”, tha Haziri, duke shtuar se megjithatë Demarkacioni është i lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Me PDK-në na ka bashkuar interesi kombëtar, statusi i Kosovës, duke sakrifikuar politikisht, sepse kemi dallime të mëdha, ndërsa kësaj here PDK ka qenë më tolerante, sepse ka pranuar që LDK të udhëheq me postin e kryeministrit”, theksoi Haziri.

Sa i përket koalicionit qeverisës, Haziri tha se ky koalicion funksionon mirë dhe nuk ka ndonjë plasaritje.

Haziri ka thënë se Kosova ka filluar me u nda bardhë e zi në Kosovë, krejt kjo falë opozitës, që ka tendenca me mbartë ndarjen ideologjike që është në parlament edhe te populli.

Mungesën e Listës Serbe në Kuvend dje, Haziri e ka komentuar me faktin se, kjo Listë ka qenë nën presion të opozitës serbe në Mal të Zi, sepse ata janë kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës.

Haziri ka thënë se krejt kjo është falë ndikimit rus që ka në Ballkan, jo veq te opozita në Mal të Zi, pasi që Rusisë i pengon ndikimi amerikan në këto vende.

Sa i përket votimit të Demarkacionit, Haziri ka thënë se definitivisht ky proces do të kryhet.

“Lista Serbe nuk ka interes të zhvillohet Kosova”, ka thënë Haziri, duke shtuar se kjo listë nuk është faktor në Kosovë.

Haziri ka thënë se në Kosovë ka degraduar fjalori dhe komunikimi politik, dhe këtë e kemi ble pa pare nga Shqipëria, edhe pse atje dinë të ulen dhe të bisedojnë de ti zgjidhin çështjet. Deri vonë Kosova ka qenë shembull në komunikim.

Ka kaluar koha e diktaturave, kur të tjerët kanë ardhur në pushtet me trazira dhe më dhunë, për këtë jam i sigurt, ka thënë ndër të tjera Haziri.