Higjiena e duarve zvogëlon infeksionet

Larja e duarve me sapun dhe ujë mund të parandalojë një në pesë infeksione të frymëmarrjes, të tilla si ftohjet ose gripi dhe një në tre infeksionet gastrointestinale, paralajmëruan Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Në funksion të Ditës Globale të Larjes së Duarve, dita kushtuar këtij gjesti të thjeshtë “shpëtues jete”, që festohet më 15 tetor.

“Edukimi për larjen e duhur të duarve me sapun dhe ujë në komunitet mund të zvogëlojë numrin e personave që kanë diarre me rreth 23-40 për qind, mungesat për shkak të sëmundjeve gastrointestinale te studentët me 29 deri në 57 për qind, sëmundjet e frymëmarrjes në popullatën e përgjithshme me rreth 16 deri në 21 për qind”, specifikoi CDC.

Në një vit e gjysmë të fundit të pandemisë COVID-19, rëndësia e higjienës dhe pastrimit të duhur të duarve është theksuar shpesh, veçanërisht gjatë përgatitjes së ushqimit, para ngrënies dhe pas kollitjes, teshtitjes ose fryrjes së hundës.