Historia alternative e shqiptarëve

Nexhmedin Spahiu

Qypërlinjtë shqiptarë e sunduan Perandorinë Osmane për më shumë se gjysmë shekulli. Sulltan Mehmeti IV ishte fëmijë 5-vjeçar kur u vu në fron. Pashai shqiptar, Mehmet Qypërliu, (1580-1661), nga fshati Rudnik, u bë kryeministër i Perandorisë Osmane më 1656 dhe sundoi me dorë të hekurt për 5 vjet.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Për ta kuptuar më mirë historinë e popullit tonë, është mirë të shohim se cilat ishin momentet vendimtare dhe çfarë do të ndodhte nëse epilogu i rrjedhave në këto momente vendimtare të kishte rezultat të kundërt.

Gjergj Kasrioti – Skënderbeu (1405-1468)

Sikur Skënderbeu të mos merrte vendim ta braktiste Sulltan Muratin II (1421-1451), por të vazhdonte lojalitetin ndaj tij, shqiptarët do të kishin avantazhin e nënshtrimit të hershëm dhe do të bëheshin sundimtarë të tokave të reja evropiane të pushtuara nga osmanët. Shqiptarët nuk do të humbnin 3/4 e popullsisë, përfshi këtu popullsinë më të qytetëruar. Pa luftërat e Skënderbeut shqiptarët jo vetëm që sot mund të ishin 4-fishi në numër, por ndoshta edhe shumë më shumë, sepse në luftërat ballkanike mund të ishin shumë më të fuqishëm dhe mund të mos pësonin shfarosje të popullsisë siç pësuam.

Por, pa luftërat e Skënderbeut kundër dy sulltanëve (Muratit II /1421-1451/ dhe Mehmetit II /1451-1481/) zgjimi kombëtar në shekullin XIX do të ishte më i vështirë: do të mungonte simboli i kryeheroit. Ose, të paktën, zgjimi kombëtar do të ishte i ndryshëm nga çfarë ishte.

Qypërlinjtë (1656-1710)

Qypërlinjtë shqiptarë e sunduan Perandorinë Osmane për më shumë se gjysmë shekulli. Sulltan Mehmeti IV ishte fëmijë 5-vjeçar kur u vu në fron. Pashai shqiptar, Mehmet Qypërliu, (1580-1661), nga fshati Rudnik, u bë kryeministër i Perandorisë Osmane më 1656 dhe sundoi me dorë të hekurt për 5 vjet. Posti i kryeministrit u trashëgua nga i biri Ahmeti, i cili e mbajti atë deri më 1676. Pas tij kryeministër u bë nipi i Mehmetit (i biri Ahmetit), Mustafa, e pas tij nipërit e tjerë të Mehmetit: Fazili, Huseini e Numani deri më 1710. Sulltanët, Mehmeti IV (1648-1687), Sulejmani II (1687-1681), Mustafa II (1691-1695), Ahmeti II (1695-1703), e deri diku edhe Ahmeti III (1703-1730), ishin vetëm lodra në duar të qypërlinjëve.

Në kohën e qypëlinjëve, shqiptarët i zgjeruan hapësirat e tyre etnike. Në trevat ku ishin pakicë dominuese u bënë shumicë, në trevat ku ishin pakicë e vogël u bënë pakicë dominuese, ndërsa në trevat ku nuk ishin jetuar fare u bënë pakicë e rëndësishme (Beograd, Athinë, Sofje Karakurt, Traki, Bihaq), kurse pjesë të mëdha të Stambollit, Bursës, Izmirit, Adrijanopojës, Damaskut, Kajros, Jerusalemit etj. u bënë thjeshtë shqiptare. Përveç shtimit në numër e territore, shqiptarët e ndërruan fenë në masë. Nga 20%-25% myslimanë, u bënë 80%-85% myslimanë. Kjo ndodhi pasi paraqitej nevoja për sundimtarë e punëtorë të administratës osmane dhe myslimanët shqiptarë në numër të pamjaftueshëm, për t’i plotësuar të gjitha këto pozita, i ftonin kushërinjtë e tyre të krishterë të konvertoheshin në myslimanë dhe të merrnin pozitat e pronat që mbesnin pa titullarë si rezultat i luftërave ose epidemive.

Po në këtë kohë shqiptarët e ndërruan edhe emrin. Deri në këtë kohë shqiptarët e quanin veten arbër, kurse elitat intelektuale vetën dhe popullin e vet e quanin herë epirotë e herë maqedonë. Atë që konvertohej në islam e quanin turk. Pot, kur në fund të shekullit XVII shumica e arbërve (mbi 80%) u bënë “turq”, lindi nevoja që ky popull, që nuk ishte arbër (sepse kishte ndryshuar fe), por që nuk ishte as edhe turk, se shumica nuk e dinin turqishten, lindi nevoja për një emërtim të ri dhe ky popull u quajt shqiptar. Fillimisht shqiptarë konsideroheshin vetëm shqiptarët myslimanë, por me kalimin e kohës shqiptarë u quajtën edhe të krishterët, kjo ngase, për dallim nga pashallarët e etnive tjera, pashallarët shqiptarë në ushtritë e tyre i merrnin edhe vëllezërit e tyre të krishterë. Pavarësisht ndryshimit të emrit në gjuhën vendore, në gjuhët e tjera vazhdoi të përdoret emri i vjetër: Albanian, Albanische, Albaneze, Arnaut, Arvanitas etj.

Tani, çfarë do të ndodhte sikur qypërlinjtë të mos paraqiteshin në skenën perandorake? E sigurt që shqiptarët do të ishin shumicë e krishterë deri në fillim të shekullit XX, e pas luftërave ballkanike termi shqiptar mysliman do ekzistonte vetëm në Turqinë e sotme, ngase në trojet e sotme shqiptare nuk do të kishte asnjë të tillë: do të shfaroseshin ose dëboheshin gjatë luftërave ballkanike më 1912/1913. Emërtimi shqiptar nuk do të ekzistonte fare. Shteti i arbërve të krishterë do të quhej më parë Maqedoni sesa Arbëri.

Mahmut Pashë Bushati dhe Ali Pashë Tepelena

Nëse Mahmut Pashë Bushati dhe Ali Pashë Tepelena do të kishin sukses në pavarësimin e pashallëqeve të tyre, sot do të kishim dy Shqipëri. Zgjimi kombëtar nuk do të pengohej pavarësisht sundimit despotik të këtyre pashallarëve të ngritur në mbretër. Përkundrazi, ai do të ishte më i hershëm sesa ai që ndodhi në fakt. Nëse sundimi Mehmet Ali Pashës (1769-1849) nxiti në Egjipt zgjimin kombëtar egjiptian, përse bashkëmoshatarët e tij, Mahmut Pashë Bushatliu (1749-1796) e Ali Pashë Tepelenës (1770-1622), nuk do ta bënin të njëjtën gjë në shtetet e tyre.

Nëse lëvizjet e tyre separatiste do të kishin sukses, sot do të kishim dy kombe shqiptare: atë jugor (myslimano-ortodoks) dhe atë verior (myslimano-katolik). Përpjekjet për t’u shkrirë në një komb të vetëm do të ekzistonin gjatë shekujve XIX e XX, por vështirë se do të ndodhte bashkimi. Të dyja këto shtete shqiptare, secila veç e veç, do të ishin më të mëdha sesa Shqipëria e sotme edhe me sipërfaqe edhe me banorë e sidomos me zhvillim arsimor e kulturor. Sigurisht, që as Tirana as Prishtina nuk do të ishin kryeqytete, por në vend të tyre do të ishin Shkodra e Janina. Do të kishim po ashtu dy gjuhë shqipe (veriore e jugore). Të dyja këto shtete mund ta kishin në kufi Bullgarinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme shqiptaro-bullgare, që dominuan në 100-vjetëshin që shkoi, mund të mos ishin aq të mira me të dyja këto shtete. Shqipëria Jugore mund të mos kishte marrëdhënie të mira me Greqinë, por me Serbinë (Jugosllavinë) do të kishte marrëdhënie të shkëlqyeshme. Ndërkaq, Shqipëria Veriore mund të mos kishte marrëdhënie të mira me Serbinë (Jugosllvinë), por me Greqinë do të kishte marrëdhënie të mira. Marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare do të ishin relativisht të mira. Njohja e këtyre dy shteteve do të mund të kishte ndodhur më së hershmi më 1830, kur u njoh Greqia, e më së voni më 13.07.1878, kur u njohën Serbia, Mali i Zi e Rumunia. Asnjëra prej këtyre dy shteteve shqiptare nuk kish pasur nevojë për njohje nga Serbia, por përkundrazi Serbia do ua kërkonte njohjen këtyre dy shqipërive. E sigurt se Shqipëria veriore do i kishte vendosur Serbisë kushte për njohje, ashtu sikurse që Serbia po i qet kushte Kosovës tani. Italia fashiste dhe Gjermania naziste edhe mund t’i pushtonin këto dy shtete, por vështirë se këto dy shtete do ta përjetonin komunizmin. Nëse, të paktën, njëri nga këto shtete do të ishte komunist, atëherë ky mund të ishte shteti jugor, për shumë arsye para se ai verior. Në mos për asgjë tjetër, Shqipëria Jugore si kundërpeshë e Greqisë jokomuniste, kurse ajo veriore si kundërpeshë e Jugosllavisë komuniste. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *