Hixhreti datë vendimtare në historinë Islame

(Nga penda e të ndriturit H. Sherif ef. Ahmeti)
Ndër dymbëdhjetë muajt e vitit Hënor, katër muaj janë të dalluar ngase gjatë ditëve të tyre është e ndaluar lufta, janë të ndaluara çrregullimet dhe fesati, prandaj edhe quhen muaj të mëdhenj, të fisnikëruar dhe të shenjtë (hurum) për arsye se gjatë këtyre muajve duhet të mbretërojë paqja, qetësia dhe siguria. Zoti e di më së miri, por si duket në muajt Dhilkade, Dhilhixhe dhe Muharrem është për qëllim siguria e vizituesve, të cilët e mësyejnë Qabenë, faltorën e parë në faqen e tokës, xhaminë e madhërishme, shtëpinë e Zotit e cila prej Ibrahimit, babait të pjegamberëve vazhdimisht është vizituar e deri edhe në ditët tona të sotme ani pse ndonjëherë vizita e është motivuar me qëllime te gabuara e të kota. Gjatë këtyre tre muajve të njëpasnjëshëm është garantuar paqja e siguria për haxhinjtë për të shkuar, për të qëndruar aty dhe për t u kthyer, e për të mos u harruar vyrtyti paqësor gjatë tërë viti: është caktuar si i tillë edhe muaj i i katërt, muaji Rexhep, i cili është në mes të vitit.
Muaji Muharrem është i dalluar edhe me epitetin tjetër i cili në kalendarin Islam njihe: muaj i Hixhretit, muaj vitit: të ri të myslimanëve, prandaj te gjithë myslimanët e botës e festojnë dhe e përkujtojnë triumfin, të cilin myslimanët e pare e arritën falë hixhretit.
Hixhret: etimoligjikisht do të thotë: lënie, braktisje, largim, shpërngulje, migrim etj., e këtu e kemi fjalën për momentin kur i dërguari i fundit nga të dërguarit e Allahut, Muhamedi alejhis selam e la Mekën vendlindjen e tij të dashur dhe shkoi në Jethrib-Medinën e ndritshme, moment dhe ngjarje e cila ngjau ne vitin 622. Një gjë duhet të kemi të qartë se festimi i vitit të ri kalendarik nuk është festimi i fillimit te historisë së Islamit, pse historia lslame fillon prej natës së Kadrit, trembëdhjetë vjet më pare nga kjo datë, që do të thotë fillon me vitin 610 kur për here të parë fillon t’i kumtohet Muhamedit Kur’ani. Gjithashtu nuk mund të thuhet se me festimin dhe me përkujtimin e vitit të ri hixhrije muslimaët e vëjnë në harresë fillimin e historisë Islame, pse Ai, i cili i di të gjitha, pra Allahu i madhëruar ua bëri obligim myslimanëve agjërimin e muajit në të cilin fillon historia Islame dhe festimi i atij momenti është i shprehur në mënyrë më madhështore ndër myslimanët.
Është e vërtetë se Muhammedi u largua nga Meka për në Medinë në fillim të muajit Rebi- u1 evveli, nga dy muaj pas Muharremit, ndërsa data e vitit të ri mysliman shënon fillimin e Muharremit, e jo të Reviul evelit? Për të sqaruar këtë mospërputhje të datës në fjalë, duhet ta dijmë se shpërngulja e Munamed Mustafasë nuk ishte ide e papritur, nuk ishte rast i befasishëm, përkundrazi ishte plan i menduar mirë, ishte mençuri e një veprimi shumë të madh, i cili përveç parapërgatitjes kishte edhe synimin e rezultatit. Muhammedi a.s. dy vjet më parë e kishte menduar shpërnguljen, të gjitha ngjarjet, të cilat u zhvilluan gjatë atyre dy viteve e kishin orientuar për të gjetur një vend më të përshtatshëm për realizimin e misionit me të cilën ishte ngarkuar, prandaj në fillim të muajit Muharrem vendosi preraz për hixhret, por së pari i porositi dhe i këshilloi myslimanët të fillojnë shpërnguljen dhe atë ne mënyrë të fshehtë dhe në grupe të vogla nga dy ose tre dhe ashtu brenda dy muajsh u larguan nga Meka gati të gjithë myslimanët rreth 150 sish, e mbeti ende në Mekë vetëm Muhamedi a.s., Ebu Bekri dhe Aliu, të cilët pasi që shkuan myslimanët u shpërngulën edhe ata. Pra vendimi definitiv për shpërngulje ishte në Muharrem, andaj edhe merret si datë e shpërnguljes, ani pse Muhamedi qëndroi edhe dy muaj ne Mekë.
Librat e historisë dhe të biografisë së Muhamedit përshkruajnë me të madhe dhe në detaje të gjitha ngjarjet rreth shpërnguljes, por derisa qëllimi i festimit është përvoja, të cilën duhet përfituar nga ngjarja dhe synimi, të cilit i shërbeu kjo, unë nuk do të shkruaj për detajet.
Shpërngulja prej një vendi në një vend tjetër është rregull i kahershëm për pejgamerët dhe për të gjithë ata, të cilët thërrasin për në rrugën e drejtë, të vërtetë, në rrugën e Zotit.
Këtë e praktikuan edhe pejgamberët para Muhamedit si Ibrahimi, Musai etj. Kjo është natyrë e misionit të tyre, pse njerëzit nuk janë të gjithë të atillë, të cilët pranojnë këshillën dhe thirrjen për në rrugën e drejtë të Zotit xh.sh.
Muhamedi nuk iku nga Meka, nuk u thye, ai ishte i fortë si shkëmbi me ndihmën e Zotit dhe të besimtarëve, ishte krenar me besimin e tij, ishte i durueshëm dhe i qëndrueshëm në detyrën e tij, ishte i sinqertë në fenë e tij. Ai u përpoq me të gjitha fuqitë që popullin Mekas ta shpëtojë nga ajo injorancë, e cila ia kishte verbëruar sytë, por kurejshitet me këmbëngulje refuzuan Dritën Islame, e kundërshtuan ashpër Muhamedin dhe besimtarët, nuk lanë mjet pa përdorur për të torturuar besimtarët, atëherë largimi i Muhamedit nga Meka për në Medinë ishte një strategji, jo për të ikur nga armiku, por për të përgatitur shansin nga një vend tjetër për t’u rikthyer dhe për t’i dhënë grushtin e fundit armikut dhe për të siguruar lirinë e fesë dhe të fjalës. Ashtu edhe ngjau, sepse pas tetë vjetësh myslimanët u thyen dhe në mënyrë triumfale e çliruan Mekën pa luftë dhe pa gjakderdhje.
Muhamedi a.s. qëndroi trembëdhjetë vjet në Mekë duke ua mësuar njerëzve revelatën – risalën – Kuranin e shpa llur prej Allahut dhe atë në tri vjetët e para, duke iu drejtuar ndonjë individi dhe në mënyrë të fshehtë, pastaj Allahu e urdhëroi ta thërriste farefisin e afërt, pastaj e urdhëroi ta ngriste zërin lart duke publikuar porosinë e Zotit dhe vetëm me pranimin e Islamit nga Hamza dhe Ymeri në vitin e gjashtë myslimanët morën guxim të lutën dhe të falën haptazi, por edhe pas gjithë kësaj, armiqtë i forcuan edhe më shumë radhët kundër thirrjes së Muhamedit, ahmakija, shovenizmi, zilia, megalomia kurejshite e politeiste nuk pushoi së kundërshtuari, megjithatë synimi i Muhamedit nuk u dobësua qëllimi i tij nuk pushoi dhe kur shkretëtira mekase nuk pranoi Feja Islame të mbillet në të nuk pranoi bimën e dinit Islam. Kjo bimë e Allahut e shartuar në shpirtrat e besimtarëve të qëndrueshëm dhe të vendosur për të sakrifikuar edhe jetë, pasurinë dhe familjen për mbrojtjen e besimit Islam, Muhamedi i udhëzuar prej Zotit dhe nën mbrojtjen dhe mbikëqyjen e Tij bëri hixhretin.
Hixhreti i Pejgamberit shënon datën e formimit të bashkësisë së parë, të shtetit të parë Islam, ngase myslimanët e shpërngulur më parë në Medinë, muhaxhirët kishin besim të hershëm Islam në Mekë, ndërsa vendësit, ensarët medinas kishin ardhur disa herë në Mekë dhe kishin përqafuar Islamin dhe kishin dhënë besën se do të mbrojnë Muhamedin dhe besimtarët sikurse edhe vetën dhe familjen e tyre, e pas hixhretit u bashkuan ata dhe formuan një njësi islame dhe ai ishte populli i parë i shtetit të tij Islam.
Hixhreti shënon një vepër të madhe të Muhamedit, sepse kur Zoti i dha shenjë të dërguarit të vet të shpërngulet në Medinë, në vendin e popullit, i cili e kishte besuar Allahun, të dërguarin dhe librin e Tij, të cilët më parë i kishin dhënë besën se do të mbrojnë atë sikurse veten, fëmijët dhe gratë e tyre, Pejgamberi bëri planin dhe secilit i caktoi detyrën. Aliut të vogël i tha të bjeri në shtratin e tij dhe të nesërmen t’ua kthejë të gjithëve emanetin, mallin e tyre, të cilin e kishin strehuar te Muhammedi mekasit duke e njohur si besnik të dalluar, Esman, bijën e Ebu Bekrit e urdhëroi t’u sjell ushqim në shpellë, Abdullahun birin e Ebu Bekrit e porositën të dëgjojë thashë thëniet kurejshite përkitazi me Muhamedin dhe të lajmërojë, Amir bin Fehiren, bariun e porositi t’i sjell delet rrugës kah kanë ecur ai dhe Ebu Bekri dhe të fshijë gjurmët. Nga kjo përgatitje duhet të mësojmë për fe dhe për jetë, të kuptojmë se Islami është fe e përqendruar në vepër dhe në dituri, nuk është ëndërr dhe shpresë boshe.
Hixhreti i Pejgamberit ishte një grusht i rëndë për banorët mekas, ngase dështuan shpresat e tyre për zhdukjen fizike të Muhamedit, myslimanët u dolën prej dore dhe tani pritnin ndonjë rrezik prej tyre. Vërtetë ajo fara e bimës së shtetit islam, e cila ishte përgatitur të mbillet sa ishte në Mekë, gjeti një tokë më të mirë në të cilën u mboll dhe dha frytin e vet edhe pas sa vitesh, këshilla Islame, e cila e mundur u largua nga Meka për në Medinë u kthye triumfuese prej lindjes në perëndim, ngase në vendin e hixhres e dha frutin e thirrjes Islame, por kjo u arrit pas një besimi të sinqertë, pas një durimi krenar e burrëror dhe ashtu ajo dritë Islame u përhap dhe ajo pakicë myslimane u bë popull dhe me hapat e vendosur të Pejgamberit tri vendbanimet më të njohura, Meka, Taifi dhe Medina u bënë tri qendra, të cilat sinjalizuan përhapjen e tij të shpejtë në tri kontinente, në Azi, në Afrikë dhe në Evropë. Është karakteristikë se në një ajet të Kuranit, në surën Tekvir, i cili iu shpall Muhamedit sa ishte në Mekë dhe kur myslimanët ishin grusht i vogël njerëzish thuhet: “Kurani është udhërrëfyes për tërë njerëzit e botës.” Sikur të mos ishte kjo thënie e Allahut, do të ishte shumë qesharake, sepse askush nuk do të kishte guxim e të thoshte se Kurani do të përhapet në tërë botën, kur myslimanët e pakët në Mekë nuk gjenin strehim as për vete, kur në lindje të arabëve ishte Perandoria Bizantine e në perëndim ajo Persiane, shtete të mëdha dhe të fuqishme, mirëpo duhet ditur se Allahu pa tjetër është realizues i asaj që e dëshiron andaj edhe u realizua ashtu që nuk ka vend në botë ku nuk lexohet e ku nuk mësohet Kurani.
Nga e gjithë kjo që u përmend duhet kuptuar se hixhreti ishte rruga për të fuqizuar thirrjen për të vërtetën, rruga për të ndihmuar të vërtetën, e jo për të ikur nga e vërteta, pse e tërë bota nuk është e gatshme për të vërtetën e të dobishmen, ka njerëz që e pengojnë urtësi në, nuk i vejnë veshin këshillës së bukur, nuk pranojnë dialog në mënyrë të kulturuar, e kur thirrësit i ngushtohet rruga në një vend, ai duhet shkuar në vend tjetër, kur disa njerëz refuzojnë duhet thirr të tjerët, pra nuk ka vend për pesimizëm te ai, i cili këshillon për të vërtetë. Historia na mëson për të vërtetën mbi pejgamberët duke filluar prej Ibrahimit e deri te Muhammedi a.s. se hixhreti i tyre triumfoi me sukses dhe fitore.
Puna e parë e Muhamedit në Medinë ishte përpjekja për t’i afruar njerëzit te Allahu, për të forcuar edhe më shumë besimin e tyre dhe për këtë qëllim së pari ndërtoi xhaminë Kuba e para se të ndërtojë ndonjë kështjellë, para se të organizojë ushtri dhe të furnizojë me armë. Këtë e bëri me qëllim që duke e falur namazin, myslimanët të arrijnë burimin e fuqisë, të mësojnë se arma më e mirë në ballafaqim me vështirësitë është besimi në Allahun, veprimi sipas mësimeve të Tij, zbatimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat.
Allahu nuk e lavdëron këtë ymmet për hir të numrit të madh të tyre por për hir të ruajtjes së mësimeve të Tij duke mos e parë atë në atë që e ka ndaluar dhe duke mos munguar ai nga ajo që Ai ka urdhëruar. Pra Muhamedi me këtë pati për qëllim fortifikimin e zemrave dhe të shpirtrave me besim të fortë para fortifikimit me ndërtesa.
Pastaj ata muhaxhirë, të cilët kishin lënë në Mekë të gjitha mjetet materiale e kishin zgjedhur Allahun Zot, Islamin fe, Muhamedin Pejgamber, i kishte afruar fryma e besimit me vendësit dhe ishin bërë sikur të ishte një trup, andaj Muhamedi bëri vëllazërimin ndërmjet tyre e Zoti u dha të mbarën materiale e shpirtërore. Zhduku atë anim fisnor ndërmjet Evsit dhe Hazrexhit dhe i bashkoi, e i shpëtoi nga gjakderdhja ndërmjet vete, të cilën ua kurdisnin hebrenjtë.
Lidhi marrëveshje ndëmjet myslimanëve dhe hebrenjve e politeistëve, me çka u garantoi paqe dhe liri sikurse edhe muslimanëve, e ata do të jenë ne krahun e myslimanëve kundër atyre që mendojnë për ndonjë të keqe ose armiqësi dhe ashtu fronti Islam u bë i sigurt dhe fuqi, e cila mbron veten, vlera: e saj, thërret haptas për fenë e vet, duke mos iu frikësuar askujt tjetër, pos Allahut.
Duke festuar vitin e ri mysliman secili mysliman dhe secila myslimane e kujton largimin e Muhamedit nga Meka nga vendlindja aq e dashur sa që duke u larguar nga ajo u kthye edhe njëherë e tha “Sikur të mos më luftonte populli i yt, unë kurrë nuk do të largohesha nga ti” u largua pra për hir të fesë, të dinit Islam. Ajo ngjarje dhe ai qëllim i Muhamedit a.s. le një përshtypje të madhe në zemrat e besimtarëve dhe shërben si shembull praktik për udhëheqësit njerëzor, e posaçërisht për udhëheqësit e myslimanëve se si duhet pasur durim të fortë kundër mendimit të keq, si duhet qëndruar stabil në rastet e stuhive të ndryshme, si duhet kundërvënë sprovimeve, si duhet flijuar për hir të një qëllimi me të lartë dhe për besim të vërtetë.
Duhet të përkujtojmë se jemi duke jetuar në një shekull të materializuar në të gjitha poret e jetës. si myslimanë duhet të ngjallim në zemrat dhe në shpirtrat tanë bazat e besimit Islam, moralin e mbështetur në Kuran e të mos fundosemi dhe të mos përmbytemi në materializëm sikurse u përmbytën shumë të tjerë, ndër të cilët është zhdukur lidhja familjare, është shpartalluar uniteti familjar, ka dështuar udhëheqja prindërore, e derisa familja është tjegulla e pare e ndërtesës së bashkësisë, atëherë kur ajo është mirë e fuqizon bashkësinë dhe në të do të kemi drejtësi, besnikëri, mëshirë, ndihmë të ndërsjellë.
Çdo manifestim tjetër i muajit Muharrem, i cili nuk ka për baze atë që e thotë Kurani ose Pejgamberi, është iluzion, mashtrim, bindje e kotë dhe ka qëllim destruktiv.

(Dituria Islame nr. 50/1993)